Kurti nga Brukseli: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen kurrë, kriminelët duhet të sillen para drejtësisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 24 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë ku forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.
Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.Kurti thotë se gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë. Ai ka shtuar se kriminelët duhet të dalin para drejtësisë, teksa iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë për ndriçimin e së vërtetës.“Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët . I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё.Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë.
E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.
I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka shkruar Kurti.Kryeministri Kurti ndodhet në Bruksel ku sot do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur nga lufta e fundit, është një nga çështjet për të cilat do të diskutohet në takimin e sotëm në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi.Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. /Reporteri.net/