Fryma poetike e së dilës e Majit me poetin;-Sabit RRUSTEMI

PAQJA RRI PEZULL MBI ATDHE

———————————————-

Mbi Kosovë e Boletin

Pritja sos një shekull

Koha ngrys atë vetull

Për Shpirtin e Isës

Nëpër ato eshtra

Që s’u kthuen ende ku kanë le

Dheu i Zi kudo qoftë

Shporret nga Trupi i Tij

Tremben dhe të shkretat dërrasa

Ai pluhur kohësh nëpër qerpikë

Mbi qepalla

Sytë e tij shpojnë Bjeshkët e Gurta

Lugjet e thella me Mjegulla Ballkani

Prej Dorës së Djathtë

Që s’hiqet prej Shoke

Në Urën e Ibrit

Në Urën e Gurit

Në Urën e Ribnicës

Pa Një pa Dy

Pa u bërë kurrë Tri

Qëllon Pabesitë

Udhës kah ecë Ai

Si dje Si sot Si nesër

Nuk ka më Kullë

As dhe Urë As Varr

Për t’ia ndalur Hapin

Krejt dheu i t’lumes Tokë

Pëlhurë shoke i bëhet

E i mbështillet për Brezi

Kulla i shndërrohet në Plis

E ia ruan Kokën

Urat i bëhen Krahë Shqiponjash

E ia shkurtojnë Udhët

Prej Trupit nagant

Shkrepin rrufeshëm Bubullimat

Mbi vrasësit e Lirisë

Si At i Dheut

Me Besë të Konstadinit

Natë e ditë frymon

Me të njejtin refren

Aty ku buka mbeti bukë

E uji ujë:

“…si me le,

Me dekë për Shqypni”!

S’ka Portë As Urë As Dhe

Që e përkulë

Që e shtrinë

Që e mbulon

Një Isë

Një Boletin

Në Kosovë e Re –

Të lashtën Dardani

Për pa u kthy Eshtrat e Tij

Aty – ku kanë le

Paqja rri pezull mbi atdhe

( 23 Kallnor 2009 )

/www.qendrapress.com/