Çaste poetike me poeten:- Greta KADARE

LUTJA E HIJËS

—————————

E ka provuar ta shqyej veten,

ta hajë me dhëmbë,

ta grisë si një pëlhurë,

e pa oreks ta përtyp.

Por ajo vetja ka dhe hijen,

i del përpara zemërdridhur,

pikon melhem ta gostisë,

e atëherë i vjen keq, o keq,

i dhimbset hija çuditërisht.

Nuk ia duron lotët kur i dridhen,

e mërmëritmat nis t’ia pijë etshëm, pa frikë.

Hija dhe heshtja të dyja

i luten, i luten, oh i luten,

udhës së dhimbjes mos i braktisë.

Ajo në njërën dorë mban fatin

e pafuqishme ta flakë, ta degdisë.

Fati… valvitet pafajsisht, flamurbardhë,

e mungesës ia zë frymën me psherëtim.

Pastaj e gris prapë veten, ia shqyen lëkurën,

e rishtaz me lëkurë e qëndis.

Në nyje, çdo fundrresht e ngjit me një lot,

çdo fund dite e puth; tani nuk ka dëshirë më… jooo,

fatin ta braktisë. /QendraPress