Pesë qytetarë dhe figura publike, që kontribuojnë në jetën politike me aktivitete e analiza, i kanë drejtuar një letër të hapur Qeverisë së Kosovës që të rivendos bashkëpunimin e ngushtë me partnerët perëndimorë.Në këtë letër të hapur Agon Maliqi, Enver Hasani, Leonora Kryeziu, Lulzim Peci, Qëndrim Gashi dhe Ramadan Ilazi kanë fajësuar Beogradin për situatën e tensionuar në veri, megjithatë, sipas tyre, përgjegjësi ka edhe Qeveria Kurti.
Letër e hapur:
Si qytetarë të Republikës së Kosovës, të shënuar sipas rendit albafetik, shprehim shqetësimin tonë më të thellë për situatën alarmante në pjesën veriore të Kosovës. Sot janë sulmuar e lënduar qytetarë, gazetarë, policë e ushtarë të KFOR-it. Nuk ka dyshim se, burimi kryesor i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor, qëndron në politikën hegjemoniste dhe ambiciet territoriale të Beogradit, të cilat, pa asnjë dyshim, janë në një linjë me objektivat e politikës së jashtme ruse në këtë pjesë të Evropës. Në këtë kuptim, veprimet e Serbisë janë të dukshme dhe u shprehën në dhunën e orkestruar nga ajo në veriun e Kosovës.Kjo, mëgjithatë, në asnjë mënyrë nuk e absolvon Qeverinë Kurti nga përgjegjësia, e cila po e shmang koordinimin e ngushtë me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në, përkundër faktit që KFOR-i ka përgjegjësinë kryesore për sigurinë në këtë pjesë të vendit. Për më tepër, kurthimi i trupave të KFOR-it në këtë dhunë të orkestruar nga Beogradi, dhe mospasja e një objektivi të qartë politik nga Qeveria e Kosovës për mundësimin e punës normale të kryetarëve legalisht të zgjedhur të komunave në veri në rrethana të mungesës së legjitimitetit, paraqet një rrezik për eskalim afatgjatë të situatës dhe rrezikim të jetëve të njerëzve në këtë pjesë të vendit, me pasoja që vështirë mund të parashikohen.Qasja përfshirëse që i ka parasysh interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës si dhe partneriteti i palëkundur me SHBA-në dhe BE-në janë fundament për paqen, stabilitetin dhe progresin e vendit tonë, dhe për këtë nuk ka alternativë. Nga sa më sipër, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rivendos me urgjencë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë perëndimor, me të cilët i ndajmë si vlerat ashtu edhe të ardhmen tonë.
Prishtinë, më 29 maj 2023
Agon Maliqi
Enver Hasani
Leonora Kryeziu
Lulzim Peci
Qëndrim Gashi
Ramadan Ilazi
Visar Ymeri