Fryma poetike e së dielës me poeten;-Barie ÇUPI

Perdet e jetës.

——————————–

Janë perdet e dritareve të mia,

më transparente sot,se një ditë më parë,

shitorja e kohës shpupuritur gjurmësh t’sigurta,

zënë unë në grep nga dhunti gërmash të hijshme,

thellësi oqeani fjala,

momentesh t’panumërta

Zhvendosen retë zhdërvjellët,

të bardha,

e zbukurojnë vitet,

me moshën,

mendime të mbledhura kruspull ,

skena rrotulluese perdeve të dritës,

ku dielli ulet mbi libër sa një sumbull.

Lëvizje të ngadalta sekondash,

minutash,

kërcejnë tymosur vegime të gozhduara n’shumëkëndëshin e jetës,

grisen rrjeta errësirash,

e ndihen lehtë dihatjet e s’vërtetës.

Sa shumë zhurmë,

ndezur zjarr zërat e rrugëve,

zërat e s’djeshmes,

na buluan djersët idhtësie,në kujtime varrosur,

i hap rrugën sotit,

ndërsa shfaqjet brenda shpirtit,

vragë lëkurës në ballin e rrudhosur.

Kërkoj fjalë që i vishen qiellit me këmishë të kaltër,

qendisur me fije të arta rrezesh,

ulur butë kraharorit që shkumëzon e shpërthen lloje melodish,

në flluska jete plot ajër,

hetueshëm,

na miklohen së koti,ca gërricje xhelozish.

Po përpiqem ti heq krejt hijet e jetëve të shëmtuara,

le të nxiten enigmat,

le të mjaullijnë thashethemet,janë veçse qoka,

vargjet si llambadarë,të çelin horizontesh,

dritareve t’madhaja sa bota.

/www.qendrapress.com/