E mërkura poetike me poeten;-Teuta BIÇAKU
Unë dhe deti
I çova detit ca pika të kripura
-Jam më i kripur? – foli nga thellësia.
E trazova pasqyrën e tij me gurë, por guri u fundos.
-Më trazon,- tha – vetëm stuhia.
I hodha rreze shikimi plot shkëlqim,
por nuk u magjeps, nuk u verbua.
-Nuk më josh shkëlqimi, – tha.
-Lindja dhe perëndimi treten mbi mua.
I pëshpërita, i fola, zërin e corra.
M’u gjegj jehonash me urtësi.
– Ruaje zërin të kesh pak frymë për vete,
se unë e tret në të pangopshmen thellësi.
I shkrova mbi shkëmb fjalë zemre,
e dallga mbi to u përplas me zhurmë.
U zhduk me dhimbje çdo gërmë e shkruar.
– Mësohu të përshtatesh – tha, – kështu jam unë.
U qullosa duke u shkrirë në limfat e mia,
desha të bëhem njësh me të madhin det.
-Jam shumë fluid – më tha, – ndaj mos u kridh tek unë,
çdo grimcë tënden do ta shpërndaj, do ta tret.
U ula e vështrimin hodha në horizontin e largët blu,
ndoqa zbaticat e baticat si kraharor që zbrazet e mbushet me frymë.
Më ktheu fjalë, buzëqeshje, breg të gërmëzuar,
që madhështinë e tij ta shijoja veç në trishtim kundrim.
Teuta Biçaku korrik 2023.
/www.qendrapress.com/