E mërkura poetike me poeten;-Teuta SHAQIRAJ

Të ruaj nën lëkurë

——————————

Më mungon engjëlli im, më mungon.

Si të rroj, kemi mbetur unë dhe muza,

Ku je mes galaksive, si të gjej përtej yjeve

Pse ajri dridhet bashkë me mua

kur emri yt më shkërmoqet vargjeve?

Shpirti yt më prek si flladi vere

Mollëzat përskuqen e të kërkojnë me ndrojtje

Buzët hapen si petale nga freskia mëngjesore

Eh, aroma jote ngulur në kujtesë.

Të kërkoj nën lëkurë me shpresë

Por, s’po mund,

me sytë që ngulen kaltërsisë së pafund.

E vrapoj në pyllin e sapo larë prej shiut

mes drurëve e pishave të reja te ndjej

e gjineshtrave aromën ja rrëmbej.

E nuhas gjithçka shtrirë mbi bar të njomë

Aroma jote një kujtim i largët

më ngroh ndërkohë.

Dy engjëj ta dish me vijnë çdo mbrëmje

e pështjellin jastëk e çarçafë të paduruar.

Po unë të dua ty ëndrra ime e shkuar,

të dua vetëm ty të më vish çdo natë

me hapa engjëlli ashtu fshehurazi

në një përqafim të ëmbël

në gjumin e parë ,

E gjumin e dytë në një puthje pa mbarim,

symbyllazi frymë më frymë

deri në agim.

E në zbardhje do të lë të ikësh me ikjen e engjëjve,

se engjëjt ëndrrat e tjera në amshim

ua lënë dëshirës së njerëzve.

Teuta

/www.qendrapress.com/