Pal Lekaj i bën llogaritë: Rrëzimi i Kurtit është i mundshëm
Pal Lekaj, deputet i AAK-së, teksa foli për mocionin e mosbesimit të iniciuar nga partia e tij, tha se ka deputetë të pakënaqur të Lëvizjes Vetëvendosje me punën e Qeverisë Kurti.
Deputeti Lekaj tha se mocioni i mosbesimit ishte menduar nga AAK-ja si masë e paralajmërimit për veprimet jo të mira për vendin.
“Nuk ka qenë vendim pa i analizuar mirë, por ka qenë vendim mirë i analizuar dhe në rrethana të caktuara dhe në momentin e duhur. Ne kemi dashur t’i tërheqim Kurtit vërejtjen për gabimet që po i bën”, tha ai.
I pyetur se a i kanë numrat për mocionin e mosbesimit, Lekaj tha se ka edhe deputetë të pakënaqur të Lëvizjes Vetëvendosje me punën e Qeverisë Kurti.
“Kur është marrë vendimi për mocion, kemi menduar që opozita do të jetë e bashkuar dhe do t’i kemi 40 numra me gjetë seancën, kemi pas deputetë dhe ka deputetë që nuk janë të kënaqur me veprimet e Qeverisë, edhe të mazhorancës, edhe të Vetëvendosjes. Kemi menduar që për një periudhë 2-3 mujore, e sidomos tani në shtator, do të jemi ta gatshëm”, u shpreh ai në Pressing.
Por, deputeti Lekaj tha se si opozitë nuk janë të koordinuar.
“Ne nuk jemi fort të koordinuar edhe si opozitë, sepse mbizotërojnë interesat e subjekteve politike”, tha ai.