Parlamenti Evropian sot debaton për sulmin terrorist në veri, pritet miratimi i një rezolute
Parlamenti Evropian do të diskutojë të martën lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, ku u vra polici Afrim Bunjaku, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Në njoftimin e publikuar në faqen PE’së, thuhet se diskutimi do të mbahet të martën pasdite.Aty rikujtohet se si përmes dy raporteve të miratuara në maj të këtij viti, eurodeputetët kërkuan nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në parimin e njohjes reciproke. Në diskutimin e sotëm në Parlamentin Evropian pritet edhe miratimi i një rezolute.Kërkesën për këtë rezolutë e bëri eurodeputeti Tonino Picula, i cili tha se e mori shumicën e nevojshme për propozimin e tij dhe se për këtë rezolutë do të diskutohet në seancën e dytë plenare gjatë këtij muaji.Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim. Në anën tjetër, NATO-ja ka shtuar forcat në veri. /Reporteri.net/