Latifi: Komandantët Toni e Mici me shokë ishin viganë të luftës së popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës
Në 25-vjetorin e rënies në përballje me forcat pushtuese serbe, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi së bashku me familjarë të dëshmorëve, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, kanë nderuar kujtimin dhe veprën e pavdekshme ndër breza të heronjve Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici nga Rahoveci, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri nga Vushtrria.“Luftëtarët, komandantë të luftës çlirimtare, janë heronjtë që mbajnë mbi kokë aureolën e lavdisë, duke u bërë shëmbëlltyrë për brezat. Ata vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot e mot. Gjaku i Tonit e Micit, i Hamdiut, Bekteshit e Nezirit nuk do të tretet e as nuk do të thahet dhe përmendoret e statujat e tyre sikur flasin pa nda me ne. Ata u bënë piketa orientuese për ardhmëri. Arritjet e mëdha kërkojnë flijime të mëdha dhe komandantët Toni e Mici me shokë, qenë viganë të luftës së popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës, nën emblemën e UÇK-së. Pa këtë luftë dhe pa këto rënie të mëdha ne nuk do të ishim në gjendje të dimë çfarë vlere ka liria. Dëshmorët e treguan me vepra dashurinë e tyre, duke dhënë jetën dhe neve na takon ta dëshmojmë dashurinë ndaj vendit me punë e përkushtime të përditshme”, është shprehur Latifi.