Babai dhe vëllai i Liridona Ademajt informohen nga Prokuroria për rastin: Na e lehtësoi dhimbjen, morëm siguri më të madhe

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka bërë me dije se ka mbajtur një takim me prokurorin në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, në lidhje me rastin e vrasjes së motrës së tij.

Ai ka thënë se bashkë me babain janë informuar për rastin e vrasjes së Liridonës. Familja e Lirdonëse thotë se besojnë te të gjitha institucionet e drejtësisë bë zbardhjen e plotë të rastit.

“Sot mbajtëm takim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe u informuam rreth rastit të vrasjes së Liridonës tonë, brenda kufinjëve që lejon ligji.

Ky takim na e lehtësoi dhimbjen dhe na ofroi një siguri edhe më të madhe që hetimet janë duke shkuar mirë. U dakorduam që tani e tutje do të kemi takime të rregullta informuese.
Ne i shprehëm falenderimet hetuesëve, prokurores së rastit dhe të gjithë prokurorëve që janë duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit.

Ne besojmë në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe mbesim me shpresë që rasti do të zgjidhet në mënyrë profesionale”, ka shkruar Leonard Ademaj.

Rasti i Liridona Ademajt është ndër më të rëndit që ka ndodhur paslufte në Kosovë. Për vrasjen e saj është arrestuar edhe ish-bashkëshorti, Naim Murseli.

Naim Murseli, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, i arrestuari tjetër në këtë rast, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.” /Reporteri.net/