70 gëzhoja plumbash u gjetën në oborr, e disa prej tyre edhe brenda shtëpisë së Bashkim Durakut në Krushë të Madhe të Rahovecit
Shumë plumba u shkrepën në drejtim të shtëpisë së Durakut mbrëmjen e së ashtunës, më 24.02.2024. Nga plumbat muri i shtëpisë u bë vrima-vrima.
Selami Duraku, familjar i Bashkimit, pretendon se persona të panjohur tentuan të kryenin grabitje të armatosur. Por, kjo nuk ndodhi për shkak se familjarët dhe grabitësit e dyshuar u përleshën me armë zjarri.
Pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë gjuajtjen e vazhdueshme me armë në drejtim të shtëpisë që ishte cak i sulmit.
Ngjarja në fillim u cilësua si – grabitje në tentativë, mirëpo me katër persona të arrestuar, rasti tashmë po hetohet si – vrasje në tentativë, dhe – armëmbajtje pa leje.
“I kemi ni gjuajtjet me armë, afër jemi me shtëpi, e kemi dalë menjëherë këtu. Kur kemi dalë veçse krismat kishin krisë ato, e jemi taku me Bashkimin e me Besnikun, këtu Bashkimi na tregon se qysh ka ndodhë rasti”, e kujton Duraku mbrëmjen e 24.02.2024.
Ai tregon se si i afërmi i tij, Bashkimi, i ka vërejtur disa persona të dyshuar, e me t’i dëgjuar ata ka vrapuar për në shtëpinë e tij.
“Kur ka dalë prej shtëpisë këtu, me ec rrugës, me ndez një cigare, në ora 11:00 a në 10:40 sa u kanë ora, e ndez një cigare e del me ecë te pllaci këndej me shku edhe i sheh katër persona. Disa persona këtu i sheh afër dhe kthehet mbrapa shkon në shtëpi edhe hyn me hyxhym në shtëpi”, thotë Selami Duraku.
Ai tutje shpjegon se në momentin kur Bashkimi hyn në shtëpi, zhurma dëgjohet nga fëmijët e tij që ishin në gjumë e zgjohen nga gjumi.
Me të ndezur dritën e dhomës ku ishin fëmijët, Duraku thotë se personat e dyshuar fillojnë të gjuajnë në drejtim të dritares së tyre.
“Kur e kallin një dritë fëmijët atje lart, në dhomën lart, ata gjuajnë në dhomë të fëmijëve atje”, thotë Duraku, teksa shton se djali i axhës së tij, Bashkimi, hip në tavanin e shtëpisë që po sulmohej e aty merr armën e tij.
“Ky ngjitet në katin lart në tavan, atje merr armatim edhe ky, kur merr armatim ky edhe ky fillon me gjujt në drejtim të atyre (grabitësve) , ata menjëherë fillojnë drejt në dritare te Bashkimi”, thekson Duraku.
Tutje ai thotë se gjatë kohës sa zhvillohej e gjithë ngjarja, në oborrin e shtëpisë vjen edhe Besniku, vëllai i Bashkimit.
Pamjet që u panë në vendin e ngjarjes tregojnë se fati ishte në anën e Besnikut. Një plumb që u gjuajt në drejtim të veturës së tij, shpoi xhamin e veturës e për pak sa nuk goditi edhe vetë atë.
Sipas Selami Durakut, pasi plumbi ka goditur xhamin e veturës Besniku ka mbetur i gërvishtur në kokë.
Besnik dhe Bashkim Duraku kanë përfunduar të arrestuar. Kjo pasi Policia atyre u gjeti armë për të cilat nuk posedonin leje.
“Të dytë janë të arrestuar, edhe 1 muaj ua kanë dhënë paraburgim. Na sa dimë prej Policisë gjoja për armë a çka i kanë ata detyrat e veta”, tha familjari i tyre.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka treguar se rreth ngjarjes në pranga përfunduan katër të dyshuar.
Fatmirësisht e gjithë ngjarja përfundoi pa ndonjë viktimë, e familjarët pësuan gjendje të rëndë emocionale nga ajo që ndodhi mbrëmjen e së shtunës.
“Këtu janë kanë shtatë banorë. Ka pas edhe fëmijë, ka fëmijë 3-muajsh. Janë tash fëmija me trauma, në mbrëmje nuk flenë në shtëpi më, shkojnë te vëllai”, tha Selami Duraku.
Dy familjarët e tij, Selami Duraku pret që të lirohen. Ai thotë se presin që drejtësia t’i kryejë punët e veta.
“Drejtësia i kryen të vetat, ndoshta ato procedurat e veta, na nuk mujmë me ju përzi drejtësisë, por ne kem qejf me u liru (familjarët) se në shtëpi të vet, në mbrojtje, s’ka ku shkon përtej shtëpisë”, tha ai.
Prokuroria e Gjakovës ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Portali ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Gjykata e Gjakovës për të parë se çfarë veprime janë ndërmarrë nga ajo, mirëpo, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje. /Kallxo.com/