Kurti: Teksa aeroplanët e NATO-s filluan bombardimet, kriminelët serb vranë tre veprimtarë të njohur

                        Në 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar tre veprimtarët e njohur shqiptarë që u vranë nga kriminelët serb.Kurti thotë se derisa NATO kishte nisur bombardimet, kriminelët serb vranë Agim Hajrizin, Latif Berisha dhe Bajram Kelmendin, transmeton Telegrafi.

“Teksa aeroplanët e NATO-s nga qielli filluan bombardonin e caqeve të forcave serbe, si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë së Millosheviqit në Kosovë, kriminelët serb vranë tre veprimtarë të njohur shqiptarë. Në Mitrovicë vranë kryesindikalistin Agim Hajrizi dhe politikanin Latif Berisha, e në Prishtinë vranë avokatin Bajram Kelmendi.

Agim Hajrizi, sindikalisti i paepur, Kryetari i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet e ’90-ta, u vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën Nazmije dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin”, ka thënë Kurti.