Veprat e panjohura të tre shenjtorëve të Kaninës! Martirët nga Vlora dhe motra e Donikës së Skëndërbeut që shkriu pasurinë e saj për të varfrit-Shkruan ;Bardhosh GAÇE

Jeta dhe vepra e panjojur e Shën Danaktit, martir i krishtërimit me origjinë nga Vlora; e Shën Lefterit, birit të një familjeje të pasur të Kaninës, i lindur në Romë, rreth shekullit II pas Krishtit; e Shën Angjelina Komenit, që lidhet me të panjohurat për familjen e Arianit Komenit . Në rrjedhën e historisë kanë mbetur shumë personazhe të hershëm dhe historik në harresë, shumë ngjarje dhe histori, të cilat pavarësisht harresës dhe pamundësisë për t’i njohur vazhdojnë të jenë të rëndësishme për ta vënë historinë shqiptare në vendin e saj, pavarësisht fushës që i përkasin, dhe mesazhit që përcjellin. Shqiptarët duke qenë në qendrën e zhvillimeve kulturologjike, qytetëruese dhe të dijeve të gjithësishme, afër qytetërimit antik, madje brenda tij, kanë sjellë për shoqërinë dhe prerjet qytetëruese figura emblematike dhe të përbotshme, që nga heroi i lashtësisë Bato deri te Shenjtorja Nënë Tereza, pa harruar papatët, si asnjë popull tjetër në hierarkinë e Vatikanit.

Ata janë dhe kanë mbetur figura madhore, figura të çmuara, të cilët kanë vënë gurë të fortë në qytetërimin ballkanik dhe atë evropian, në dijen dhe humanizmin njerëzor, bashkë me të cilët dhe rreth tyre, janë bërë prezent dhe shumë figura të tjera, qofshin burra, qofshin gra. Natyrisht, shqiptarët në të gjithë vijimësinë e tyre historike kanë qenë në marrëdhënie komplekse, për shkak të gjeopolitikës në të cilën është gjendur atdheu i tyre dhe gadishulli i vjetër, i cili ka qenë lakmi e të gjitha fuqive të kohërave, kështu që histori të shumta shfaqen ndër shqiptarë, ashtu si dhe personalitete të spikatur, të cilat duhet vullnet, dëshirë, hulumtim dhe dashamirësi për t’i shfaqur para kulturës botërore dhe asaj kombëtare në vlerën e vet.

Në harresën e dhimbshme vazhdojnë të mbeten akoma tre shenjtoret e Kaninës, një nga qendrat më të rëndësishme që në kohët e hershme, ku zhvillimet politike evropiane Lindore dhe ato Perëndimore pleksen në mënyrë të çuditshme, duke e kthyer dhe vetë Kaninën në një qytezë të rëndësishme, ku spikati kultura, dija, diplomacia, kultura e besimit, njerëzit e spikatur me vokacion kombëtar dhe ndërkombëtar. Duke qenë gjithashtu edhe një nga qytetet e Jugut të vendit, Kanina ishte një nga qendrat e vilajetit, me lidhje të forta në Perëndim, në Itali apo Francë, Gjermani, por edhe në Lindje. Në këtë qytet spikat aktiviteti politik i dy figurave të njohura Gjergj Arianiti Komneni dhe Ali Pashë Tepelena, por nga ky vend vërtet i çuditshëm me fakte dhe ngjarje interesante të pazhbëshme dolën dhe i rezistuan kohës edhe tre shenjtorë si: Shen Lefteri, Shën Danakti dhe Shën Angjelina./Shqiptarja.com/