Fryma poetike e së dielës me poetin;Llesh GJOKA
KËSHTJELLË PREJ RËRE
————————————
E mbaj në pëllëmbën e dorës, me pesë gishtat hapur,
duke u dridhur hijeve të muzgut
Kështjellën prej rërës së lagur,
si kështjellën e Edinburgut.
E mbaj si anatemë e ditëve të reja,
kur hyra brenda portave të rënda
me tingujt e heshtjes,
në boshësinë e emrave të vdekur.
Atëhere kur mbreti dhe lordët ia kishin mbathur
trokut të shekujve.
Në litani fjalësh e mbylla veten,
në vendin e largët
Brenda mureve që ndriçojnë prej silici dhe kripe,
duke luftuar me hije shqytarësh,
duke pirë verën e buteve të gjakut.
E ndërtova kështjellën prej rëre
bashkë me fëmijë të tjerë ëndërrimtarë,
të zhytur në marrëzinë tonë prej arkitekti
Të yshtur nga profecitë e gjysheve,
kur na përcillnin këngën e gjumit të bardhë.
E ndërtova kështjellën prej rëre
buzë detit që uturinte
Derisa gjuhëzat e valëve pa mëshirë
e morën me vete
duke fshirë gjurmët
e njëmijë e një mundimeve.
ll@gjoka
09.07.2024
/www.QendraPress.com/