Vizita e Trendafilovas me 13 maj, OVL-UÇK: Kjo është datë e zezë në historinë tonë – ofendim dhe provokim

                    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit për vizitën e Kryetares së Gjykatës Speciale në Prishtinë më 13 maj, duke e cilësuar këtë veprim si “provokim të qëllimshëm dhe fyerje të rëndë ndaj historisë dhe luftës sonë çlirimtare”.

Sipas OVL-së, kjo datë ka një peshë të veçantë historike për shqiptarët, pasi më 13 maj përkujtohet themelimi i UDB-së – të cilën e cilësojnë si “përndjekësi më i egër i shqiptarëve” – si dhe rënia heroike e Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz.

“Të vish në këtë datë, në këtë tokë, me agjendë të njëanshme e pa ndjeshmëri historike, është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo Familje Dëshmori”, thuhet në reagimin e OVL UÇK.

Më tej, organizata e veteranëve ka përsëritur kritikat ndaj Gjykatës Speciale, duke e quajtur atë një “padrejtësi të institucionalizuar” që ndjek vetëm një palë, duke anashkaluar krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. “Ajo nuk sjell drejtësi, por hakmarrje politike”, theksohet në reagim.

Në deklaratë gjithashtu shprehet shqetësimi për, siç thuhet, “paraburgimin e zgjatur dhe të padrejtë” të krerëve të UÇK-së dhe për pengesat që ata po përballen gjatë mbrojtjes së tyre ligjore.

“Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme. Kosova nuk ka për çka të turpërohet. Ne nuk do të heshtim! Liri për luftëtarët tanë!”, përmbyllet deklarata e OVL-së.

Ndryshe, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, do të qëndrojë të martën për vizitë në Kosovë, ku do të mbajë një konferencë për media.