Çaste poetike me poeten:-Gladiola JORBUS

Kënga e dhembjes
—————————–
Frymëmarrja e tokave të pushtuara
ngjizet me hirin e Hënës.
Lulet çelin mbi pellgje të thëngjillta lotësh.
Shpresat treten në humnerat e kohës;
bashkë me to,
edhe gëzimi i së nesërmes.
Historia shkruhet me idealin e të shtypurve,
me triumfin e uzurpatorëve,
me vajin e dëshpëruar të nënave,
me gjakun e lutjeve të dëlira.
Kënga e dhembjes thuret nga tingujt e eshtrave.
Ëndrrat priten me gërshërët e vdekjes
të njëjtat gërshërë që mbajnë në duar
të gjithë diktatorët, vampirët e
lirisë, urryesit e jetës.
Ato mbartin kutërbimin e luftës,
klithmat, makthet, errësirën,
panikun, lotët e pandalshëm –
peshën e të gjitha marrëzive të përbindshme,
që nga vëllavrasja e Abelit gjer te përpëlitja
e një zemre të pafajshme.
Dhe bota mbetet një varr i hapur
që dridhet nën mëshirën e Zotit.
/QendraPress/