Krasniqi për ish-krerët e UÇK’së: Shkuan në Hagë me kokën lartë, historia nuk rishkruhet në gjykatë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se pesë vjet më parë udhëheqësit kryesor të luftës çlirimtare shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, ankuar e pa kërkuar privilegje. Krasniqi, teksa thekson padrejtësinë që po bëhet në procesin ndaj tyre, thekson se hsitoria nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë, dhe se ajo është e shkruar me gjak e sakrificë.
“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës. Dhe kjo histori e vendit tonë nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë. Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se Kosova nuk kërkon asgjë më pas sesa ajo që u takon bijëve të vendit të saj, pra drejtësi, të vërtetën dhe liri për clrimitarët.
“Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë. Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët”, përfundon Krasniqi.