Fryma poetike e së dielës me poeten:-Elmije AJAZI

BRUMI I DASHAMIRËSISË
——————————-
Në çarjet e heshtjes ku njeriu zhvishet nga zhurmat,
ku mendimet shndërrohen në hije
dhe hijet në kujtime që s’e dinin se ishin ndjerë,
aty nis të ngjizet një brumë i vjetër sa vetë fryma.
Brumi i dashamirësisë.
Është brumë që s’e mësojmë—
e trashëgojmë.
Nga duart e atyre që para nesh
kanë trazuar dhimbjen me mirësinë,
lotin me dritën,
vetminë me dorën që i gjeti.
Në të ka miell nga stuhitë që s’i rrëzuan,
ujë nga lotët që s’i turpëruan,
kripë nga fjalët e hidhura që s’i lanë plagë,
e një grimë qiell
që hyri në brumë kur zemra u hap pa e ditur.
Ky brumë rritet në errësirë,
jo për t’u fshehur,
por se aty ndizet më mirë drita.
Ashtu si e vërteta e shpirtit
që nuk kërkon vëmendje,
por një zemër që e dëgjon.
Dashamirësia nuk ka zë,
por ka peshë.
Rri mbi ne si një mantel i heshtur,
që na mbulon plagët pa i pyetur se nga kanë ardhur.
Na jep një copë bukë që nuk ngop stomakun,
por mban gjallë shpirtin.
Dhe kur e ndajmë atë bukë me të tjerët,
kur i japim një grimë dritë dikujt që s’e ka kërkuar,
shohim se duart tona mbeten bosh
vetëm në pamje ,
sepse brenda tyre mbetet ngrohtësia
e asaj që u dha.
Regensburg me 16 nëntor 2025
/QendraPress/