Çaste poetike  me poetin:-Sami MULAJ

TË VDESËSH NË POEZI

———————————-

Kur dita bëhet gjyshe,

qielli mrrole

plot rrudha

me re të pakrehura

e të pa lyeme prej diellit,

era ulëron si ujkonjë

e plagosur,

degët e thyera të pemëve bien

si patericat e sakatëve në kalldrëme,

e zogjtë i shohin me çudi,

nën putrat e ariut shekullor

kërcasin me ofshamë

shtrojet e ngrime të pyllit

e minjtë

në rrënojat e lisave të vjetër kanë vdekë.

Unë

në qoshe të divanit

ngulë sytë

në akrepat e orës së murit,

që rënkon si një qerre e mbetur në baltë,

mendoj…

A vërtetë mendoj

nuk e di…

qënka e mrekullueshme të mbetesh në varg,

e të mbytesh…?!

Të jesh poet

e të vdesësh në poezi.

/QendraPress/