Çaste poetike me poeten;- Lola MEÇAJ

Zbrazjen e qajnë pulëbardhat

—————————————

Ndaj s’të dua politik.

Jargavitjen tënde mbi këpucët e grisura,

pështymën pas krahëve mbi varfërinë,

mbi të pastrën uri.

Dora ime kurrë s’u ngrit “peqe”.

Drejtova gishtin para fytyrës sate.

S’ti nxora dot sytë,

ty që ishe dje,

edhe ty sot,

ty që nesër do vish.

Jam e hidhura e vërtetë,

jo e ëmbla gënjeshtër,

bojë e llustër.

Ndaj s’më do brenda llojit tënd.

As të dua se më egërson shpirtin,

më zbraz vendin,

se më vret përditë,

më gërryen si uji shkëmbin

pikë e nga një pikë.

Qaj e qesh pa zë.

S’kam më forcë të brohorit për ty,

të t’shoh si bëhesh fuqi.

Numëroj zallin kur vetmia më kllapit.

Dashurinë ma ndan e mpira.

M’i bëre të largët birin, bijën,

pikturën e dorës së vogël

Kush di ta shemb këtë urë

që më lidh me botën.

Vendin tim me zbrazjen e çmendur.

Tingujt e zërave humbasin larg

Dëgjoj bregut vetëm klithje.

Lutem, o Zot!

Mësomë me t’shterin lot.

Le të t’qajnë pulbardhat,

o vend me zemër copë.

/QendraPress/