Çaste poetike me poeten;-Kumrie Avdyl SHALA

ALTARËT QË NUK PRANOJNË HARRESË
————————————————–
Tmerrin e pamë me sy,
e bota na i mbylli veshet,
Edhe sot, pas gjithë këtyre viteve,
çdo cep toke flet me gjak, demet qe i beri shkau.
Reçaku, Qyshku, Meja, Krusha, Lybeniqi,
Drenica, Mitrovica,
qosh më qosh Kosovës,
aty ku fjala shqipe merrte frymë.
Nuk kursyen as plakun në karrocë,
as gruan me jetë në bark,
as fëmijën në lulak,
as nxënësin e klasës së parë,
që ende s’dinte ç’është urrejtja.
Çfarë u doli për dore, e bënë gjakpirësit serbë.
Trupat i shndërruan në fusha krimi,
nënat, motrat edhe nuset me duvak,
në britmë që bota s’e dëgjoi, as tani.
Pleqtë i dogjën të lidhur,
kokë më kokë,
sikur donin të shuanin kujtesën,
jo vetëm jetën.
Kjo s’ishte luftë jo,
ishte altar gjaku.
Një gjenocid i ftohtë,
i menduar mirë, i zbatuar, i heshtur nga Serbia!
Lotët nuk shterren kurrë.
Prandaj pyes:
a ka burrë që mund ta falë këtë krim?
A ka zemër që shtrin dorën e pajtimit
pa u dridhur nga eshtrat nën tokë?
Kush ka fytyrë ta fshehë mizorinë,
e të ndërtojë të ardhmen mbi gjak,
kur nëpër ara e male
ende rrjedh,
jo ujë, por gjak njëriu?
Kush ka shpirt të thotë:
“Koha kaloi”?
Koha s’kalon mbi varre pa emër.
Jo.
As unë nuk fal.
Sepse isha flakë
me ata që u shuan
në altarët e lirisë.
Heshtja ime s’është pajtim,
është betim.
Sepse kujtesa është drejtësi
kur drejtësia mungon.
Ne nuk jetojmë për të harruar,
por për të dëshmuar.
Dhe derisa kjo tokë të ketë frymë,
emrat do të flasin,
varret do të akuzojnë,
e gjaku s’do të quhet kurrë ujë.
Falja pa të vërtetën
është tradhti ndaj të rënëve.
E unë,
jam zë i atyre që s’flasin më.
Në altarët e lirisë
nuk digjet urrejtja,
digjet e vërteta.
Dhe ajo
nuk falet.