Fryma poetike e së dielës me poeten;-Bruna THANASI

Bruna Thanasi

Çift a tek

Kisha vendosur ta mbyllja muajin

cima-cima, pa asnjë borxh.

Por ti, i dashur, ma shtove hallin,

më mbushe puthje, s’më le bosh.

I kisha premtuar vetes disa herë:

penën merre, kur ke veç muzë.

Ti hyn si beu, zemërgjerë,

kur ikën, puthjen ma lë mbi buzë.

Unë s’jam mësuar të mbaj borxhe,

s’më zë gjumi, zë përdhridhem.

Mbi buzën time peshon një puthje,

si varkë e shpuar, zë e mbytem.

Në fund të muajit hedhim zarin,

të dalim bashkë, jek e jek.

Pa borxh, i dashur, ta mbyllim muajin,

qoftë puthja: çift a tek.

/QendraPress/