Gurra e Tahirit. Kobajë /-Shkruan: – Izet A. OSMANAJ

Në buzë të Drinit të Bardhë, aty ku uji i lumit flet me gurët dhe era bart aromën e barit të njomë, gjendet një vend i vogël, por me zemër të madhe , Gurra e Tahirit në fshatin Kobajë.
Nuk është vetëm një burim uji.
Është kujtim, është histori, është jetë.
Kjo gurrë mori emrin e Migjës Tahir, burri i urtë i fshatit, që i pari e zbuloi rrjedhën e saj të ftohtë e të pastër.
Migja Tahiri gjithmonë i sillte bagëtit këtu, pranë atij kepi i cili quhet kepi i flutërs ,buzë gurëve, për t’u freskuar e për të pirë ujë.
Ai nuk e shihte vetëm si burim por si bekim.
Uji i saj buronte i kthjellët si zemra e malësorit, i ftohtë si bora e Sharrit, dhe i ëmbël si buka e shtëpisë.
Sa hapa barinjsh kanë kaluar aty…
Sa zile dhensh kanë tingëlluar rreth saj…
Gurra u bë vendtakim, Vend pushimi,Vend kujtimesh.
Breza të tërë u rritën duke pirë nga ajo gurrë. Çdo pikë ujë mbante brenda mundin e tokës dhe historinë e njerëzve të Kobajës.
Ajo nuk shuante vetëm etjen por lidhte njeriun me vendlindjen.
Sot, kur kalon pranë saj, duket sikur ende dëgjohet zëri i Migjës Tahir që thërret bagëtinë, zhurma e shkopit mbi gurë dhe fryma e kohëve të vjetra që nuk harrohen kurrë.
Sepse disa vende nuk maten me madhësi,
por me kujtime.
E Gurra e Tahirit mbetet një nga ato vende një pikë uji që u bë histori,
një burim që u bë zemra e Kobajës.
Me Respekt Izet A Osmanaj