Çaste poetike me poeten;-Linda FANA

Dyert Që Të Përkasin

——————————

Atë që ta jep Zoti,

nuk ka dorë njeriu ta marrë.

Sepse ajo që është shkruar për ty,

nuk humbet në rrugët e kësaj bote,

edhe kur shumë duar

përpiqen të ta mbyllin derën.

Ajo që ke ndërtuar me djersë,

me mund, me net pa gjumë,

me lot që askush nuk i ka parë,

nuk rrëzohet lehtë.

As ligji i njerëzve,

as fjalët e tyre,

as dëshira për të të parë poshtë.

Mund të përpiqen të të humbin,

të të largojnë nga rruga,

të të bindin se nuk do ta gjesh më

atë që dikur e kishe pranë…

Por ajo që të takon,

di të kthehet tek ti

në mënyrën e vet.

Prandaj ec…

mos u ndal para çdo dere të mbyllur.

Jeta ka dyer që mbyllen

jo për të të dënuar,

por për të të treguar

se pas tyre nuk ishte vendi yt.

Dhe kur të hapet një derë,

hyr pa frikë.

Sepse ndoshta ajo është dera

që Zoti e ka ruajtur për ty

deri në momentin e duhur.

E për atë derë që ka qenë e mbyllur,

mos trokit pafund…

Sepse ndonjëherë,

pas një dere të mbyllur

nuk ka boshllëk.

Ka një zemër.

Ka një shpirt.

Ka një botë të tërë

që ende nuk di

si të hapet për ty.

Dhe ndoshta një ditë,

kur rruga të të çojë përsëri aty,

dera do të hapet vetë…

Jo sepse ti e detyrove,

por sepse më në fund

erdhi koha që të përkiste

/QendraPress/