RAZIJE MEHMETI GRADOHET “GJENERAL BRIGADE” Një promovim që flet për barazi gjinore dhe meritë në Forcat e Armatosura/ Shkruan:  Nexhbedin Basha, Major Rezervë, Gazetar & Poet

               Si gazetar i shtypit ushtarak, prej vitesh kam ndjekur dhe pasqyruar nga afër rrugëtimin e Forcave të Armatosura, dhe si oficer që kam shërbyer në strukturat e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, pata fatin ta njoh nga afër oficeren Razije Mehmeti. E kam parë të rritet profesionalisht, të sfidojë paragjykime dhe të dëshmojë përkushtim të palëkundur ndaj detyrës dhe njerëzve me të cilët ka punuar. Koha që kemi ndarë si kolegë më ka mundësuar të çmoj jo vetëm aftësitë e saj profesionale dhe menaxheriale, por edhe integritetin, qetësinë dhe vizionin për një ushtri moderne, të hapur dhe të barabartë. Promovimi i saj në gradën Gjeneral Brigade nuk është surprizë për ata që e njohin, por një fitore për institucionin dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që shërbejnë me ndershmëri nën uniformë. Është dëshmi se puna, merita dhe përkushtimi, herët a vonë, marrin vlerësimin e merituar. Më 30 janar 2026, në një ceremoni zyrtare të mbajtur në atmosferë solemniteti dhe respekti për uniformën, u krye promovimi dhe dorëzimi i gradave “Gjeneral Brigade” për oficerët Razije Mehmeti, Fatmir Neziraj dhe Edmond Voci, të akorduara me Dekret të Presidentit të Republikës, z. Bajram Begaj. Në ceremoni morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral-lejtnant Arben Kingji, drejtues të lartë të Forcave të Armatosura, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe familjarë e kolegë të oficerëve të promovuar. Vendosja e yllit të gjeneralit mbi supet e ushtarakëve të karrierës u shoqërua jo vetëm me duartrokitje, por edhe me ndjesinë e përgjegjësisë së shtuar. Ishte një moment që fliste më shumë se fjalët: një rrugëtim i gjatë shërbimi po kurorëzohej dhe një mision edhe më i madh po niste. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vlerësoi gjeneralët e rinj si profesionistë të përkushtuar, me role drejtuese të rëndësishme në Forcat e Armatosura dhe si shembull frymëzimi për brezat e rinj ushtarakë, duke theksuar se përkushtimi i tyre do të shtojë vlera në detyrat e reja. Ai u shpreh: “Me përkushtimin e tyre në detyrat e reja, ata pritet të shtojnë vlera dhe të shërbejnë si shembull frymëzimi për ushtarakët e rinj brenda forcave.” Në fjalën e saj, Gjeneral Brigadë Razije Mehmeti u shpreh: “Për mua kjo është grada më e lartë dhe shoqërohet me emocione shumë të forta, pasi është dëshmi e misionit tim të përmbushur gjatë gjithë jetës në Forcat e Armatosura. Janë katër vite shkollë dhe tridhjetë e gjashtë vite punë – dyzet vjet karrierë në shërbim të Mbrojtjes.” Ajo e cilësoi marrjen e yllit të gjeneralit si një nder të madh, por mbi të gjitha si një përgjegjësi të shtuar ndaj Forcave të Armatosura, shtetit dhe çdo ushtari që shërben nën flamurin shqiptar, duke ia dedikuar këtë arritje kolegëve, vartësve dhe familjes për mbështetjen e pandërprerë. Promovimi i Kolonel Razije Mehmeti në gradën “Gjeneral Brigade” nuk është thjesht një avancim personal, por një mesazh i qartë institucional: në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, profesionalizmi, merita dhe përkushtimi janë përcaktuesit kryesorë të suksesit, pa dallim gjinie. Me këtë gradim, ajo renditet ndër gratë e pakta që kanë arritur gradën gjenerale në historinë e ushtrisë shqiptare, pas Gjeneral Major Manushaqe Shehut dhe Gjeneral Brigade Vehbije Sala-Kuti. Gjeneral Brigadë Razije Mehmeti përfaqëson modelin e oficeres moderne shqiptare: e formuar ushtarakisht në Akademitë Ushtarake brenda e jashtë vendit sipas standardeve të FA-së dhe institucioneve partnere, e sprovuar në struktura strategjike të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, ku ka mbajtur edhe detyrën e Drejtoreshës në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së, si dhe me përvojë të rëndësishme ndërkombëtare si atashe ushtarake në Turqi, një post delikat dhe strategjik për interesat e Shqipërisë dhe marrëdhëniet me aleatët. Karriera e saj ka nisur në vitin 1990, kur u titullua oficere dhe u gradua nëntogere, për të vijuar me një rritje të qëndrueshme në gradë dhe përgjegjësi. Një rol të veçantë në këtë rrugëtim ka pasur edhe mbështetja e babait të saj, i cili e inkurajoi të ndiqte shkollën ushtarake në një kohë kur paragjykimet ndaj grave ishin ende të forta. Gradimi i Gjeneral Brigadë Razije Mehmeti dëshmon se barazia gjinore në Forcat e Armatosura nuk është më slogan, por realitet konkret. Gratë janë sot pjesë aktive e vendimmarrjes dhe komandimit strategjik, duke kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë kombëtare dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Nexhbedin

NGA RRËNJËT KOSOVARE TE MAJA E KARRIERËS USHTARAKE: RRUGËTIMI I GJENERAL BRIGADE MEHMETIT

Arsimimi, Përgjegjësitë, Trajnimet dhe Dekorimet Razije Kadri Dema Mehmeti lindi më 11 qershor 1967, në fshatin Ballaj të Kavajës, në një familje emigrantësh. Babai i saj, Kadriu, kishte emigruar nga fshati Goden i Gjilanit, Kosovë, ndërsa nëna vinte nga një familje ushtarake nga Përmeti. Pikërisht edukata familjare, formimi atdhetar dhe inkurajimi i vazhdueshëm i të atit shërbyen si shtysë e hershme për rrugëtimin e saj drejt profesionit ushtarak. Qysh në shkollë të mesme, gjatë stërvitjeve ushtarake, për Razijen lindën shkëndijat e para për të ndjekur Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve. Në shtator të vitit 1986, ajo hyri në Akademinë e Forcave Tokësore “Skënderbej”, Fakulteti Gjitharmësh, dega Këmbësori, ku u formua profesionalisht dhe mori udhëheqjen e pedagogëve si Halil Hyseni, Kristo Rrapo dhe Koço Babliku etj. Pas diplomimit në vitin 1990, shërbeu si instruktore në Shkollën e Lirë Ushtarake Kavajë, komandante kompanie, Shefe Protokolli dhe Sekretarie, Shefe e Degës së Zbulimit në Forcën Detare, Shefe e Organizimit në Forcën e Bashkuar, Drejtoreshë e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe Atashe Ushtarake në Turqi. Më pas u emërua Drejtoreshë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së. Ajo ka ndjekur: Kursin Themelor të Oficerit të Shtabit të Përgjithshëm për gradën “Major” (2003) Kursin e Komandës dhe Shtabit për gradën “Nënkolonel” (2007–2008) Kursin e Lartë të Oficerit për gradën “Kolonel” (2010–2011) Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes (2021) Masterin e dytë shkencor mbi “Roli dhe veprimtaria e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare” Gjeneralja Mehmeti ka ndjekur gjithashtu kurse për lidership, barazi gjinore (“Gruaja, paqja dhe siguria”) dhe bashkëpunim civilo-ushtarak. Në vitet 2021–2022 ka shërbyer në misionin KFOR si Zv.Shefe Shtabi për Mbështetje. Për kontributin e saj është nderuar me medalje karriere dhe shërbimi nga Komandanti i Forcës Tokësore, Shtabi i Përgjithshëm dhe me medaljen e NATO-s. Mban titullin “Nderi i Punës” (2009, Kryetari i Bashkisë Durrës) dhe njeh gjuhët anglisht, rusisht dhe turqisht. Ky rrugëtim i gjatë dhe i plotë, nga stërvitjet e para në shkollë e deri te detyrat strategjike dhe dekorimet më të larta, nuk është vetëm një histori karriere, por një shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të shërbejnë me integritet, përkushtim dhe dashuri për uniformën dhe vendin. Tiranë, më 30 janar 2026/QendraPress/