Çaste poetike me poeten;- Elmije Sylaj-AJAZI

Po të Zgjedh
————————
Më thanë: “Ndalu.” Më thanë: “Harro.”
Po zemra s’di me u ndalë, s’di me thonë “jo”.
Sa herë largohem, kthehem prapë te ti,
se çdo hap pa ty më humbet në vetmi.
Çdo rrugë pa ty është rrugë pa drejtim,
një zë që shuhet mes turmës pa tingull, pa kthim.
Sa herë përpiqem me e mbyll këtë kapitull tim,
emri yt m’kthehet si lutje në mendim.
Ti m’lexon pa fjalë, si varg i pathënë,
më gjen në errësirë ku ëndrrat janë zënë.
Më njeh në çdo dridhje, në çdo psherëtimë,
si dritë që m’ndez shpirtin në natë pa agim.
Nëse kjo është gabim — le t’jetë mallkim,
se pa ty çdo “e drejtë” s’ka asnjë kuptim.
Po të zgjedh, edhe kur s’ka më shpresë,
edhe kur bota na kthen shpinën pa ndjesë.
Nëse dashuria është luftë pa fitim,
unë prapë luftoj —
se ti je kuptimi im.
/QendraPress/