Çaste poetike me poeten;-Mirushe H. MUSA

YJET DËSHMITARË

——————————————

Akrepët e orës trokisnin me melodi,

Dielli lëshoi rrezet mbi jazin e gurit.

Një bilbil më zgjoi, erdhi në dritare,

Dola që t’i mbushja sytë me bukuri.

Duke ecur udhës plot ngjyra në mal,

Buzë liqenit nën hije pushonte një djalë.

U ndala për një çast e shiqova nga larg,

Me sytë ngjyrë liqeni dukej si yll polar.

I pashëm si një statujë e trimave ilirë,

U ngjante bijve të detit dhe malit.

Hap pas hapi iu afrova në heshtje,

U kthye me një nuancë buzëqeshjeje.

Ngjyrat e pranverës i shkonin bukur,

I nxirrnin në pah sytë e tij si kristali.

Dashurova djalin e mrekullueshëm,

Më i ëmbël për mua se dielli dhe ajri.

Pranvera e luleve, stina e lumturisë,

Prilli u bë muaji i fjalës dhe dashurisë.

Dielli vulosi kurorën për ne si një gjyqtar,

E hënën dhe yjet i morëm dëshmitarë.

/QendraPress/