Berisha: Përzgjedhja e mjekut familjar do të bëhet e detyrueshme

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ka theksuar se përzgjedhja e mjekut familjar do të bëhet e detyrueshme me fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore, duke e cilësuar këtë si një hap kyç në reformën e sistemit shëndetësor në Kosovë. Këto komente ai i bëri në programin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetësisë.
Berisha theksoi se kjo ditë shërben si moment reflektimi dhe angazhimi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar. “Dita Botërore e Shëndetit thekson edhe fuqinë e bashkëpunimit shkencor, ngritjen e vetëdijes për shëndetin dhe në kuadër të planetit ne duhet të kemi kujdes edhe shëndetin e njerëzve edhe të kafshëve edhe të bimëve”, deklaroi Berisha.