Çaste poetike me poeten;-Ajete PAVATA

Rruga që Më Zgjoi
————————
Mos më pyet çfarë kisha—
sepse nuk kisha shumë,
por kisha një botë që më donte.
U rrita jo në pasuri të mëdha,
por në një shtëpi ku zemra ishte e plotë—
ku dashuria më përgëdhelte më shumë
se çdo pasuri e kësaj bote.
Në atë thjeshtësi, mësova të buzëqesh,
pa ditur sa e rëndë mund të bëhej jeta,
pa e njohur ende heshtjen
që të mëson më shumë se fjalët.
Pastaj erdhën ditët pa trokitur,
zhgënjimet që nuk kërkuan leje,
dhe sfidat që më thyen
për të më rindërtuar ndryshe.
Në çdo rënie lashë një pjesë të vetes,
por mora një forcë që nuk e njihja—
një qëndresë që lind
vetëm aty ku dhimbja flet.
Dhe sot…
nuk shoh më me sytë e dikurshëm.
E shoh botën siç është—
pa zbukurime, pa iluzione,
por me një të vërtetë që nuk fshihet më.
“Sepse jeta nuk më mësoi vetëm të jetoj–
më mësoj të shoh,
dhe të mos i mbyll më sytë përballë së vërtetës.”
/QendraPress/