Çaste poetike me poeten;-Majlinda PAJAJ

Trashëgimia e nënës
——————————
Kur nëna mbetet vetëm në shtëpi,
nuk mbetet vetëm ajo…
mbetet gjithë dashuria që ka dhënë.
Muret e njohin zërin e saj si lule të vjetër,
dhe çdo send i vogël mban kujtesën e duarve që spushojnë.
Ajo nuk qan me zë,
sepse lotët i janë kthyer në kujtime që marrin frymë ngadalë.
Dhe në atë qetësi të rëndë,
ajo nuk numëron mungesat… por gjurmët.
Sepse çdo hap i fëmijëve të saj,
është ende i shkruar në dyshemenë e shpirtit të saj.
Ajo kupton se nuk ka rritur thjesht njerëz,
por ka ndërtuar botë që ecin vetë në jetë,
me zemrën e saj brenda tyre.
Dhe kjo është dhimbje bukur,
të jesh kudo pa u parë,
të jetosh në shumë jetë,
duke u larguar pak nga vetja çdo ditë.
Por pastaj vjen një moment…
kur dera hapet.
Dhe nuk është më koha ajo që hyn brenda,
por dashuria.
Fëmijët kthehen, jo si fëmijë,
por si rrugë që e gjejnë sërish burimin e tyre.
Dhe në atë çast, nëna nuk është më vetëm…
ajo është gjithë jetët që ka rritur,
të mbledhura në një përqafim.
Aty kuptohen të gjitha;
se ajo nuk ka jetuar për vete,
por ka jetuar aq thellë për të tjerët,
se është bërë e pavdekshme në kujtesën e tyre.
Dhe kur ajo mbyll syt një ditë,
nuk shuhet…
vetëm shpërndahet,
në çdo zemër që ka mësuar të dojë.
/QendraPress/