Fryma poetike me poeten;- Drita Rubjeka ZENELI

Të heshtësh

—————————

Hesht,

Nëse rrethanisht ndodhesh në mexhlisin e fjalëve,

Ku fjalët vlojnë si në tenxheren e supës,

Dhe avulli i tyre të mjegullon mendimin,

Hesht,

Në mexhlisin ku zërat ngrihen pa dëgjuar njëri-tjetrin,

Ku secili kërkon të flasë, por askush të kuptojë,

Dhe fjala humbet rrugën e saj të vërtetë, hesht,

Hesht,

Në mexhlisin ku fjala bëhet zhurmë,

Ku e vërteta bojatiset me zbukurime,

Dhe sinqeriteti mbetet i paftuar, i huaj në mes tyre, hesht,

Hesht,

Qetësia flet më shumë se të gjitha britmat,

Më shumë se mijra fjalë pa udhë e askund,

Jo çdo bisedë meriton praninë tënde, hesht,

Hesht,

Urtësia e heshtjes i tremb e i mek,

Fjalëshumët me peshëpupël,

Pa logjikën e së vërtetës, hesht,

Hesht,

Mendo liqenin e qetë nën hënë,

Që nuk trazohet nga gurët e hedhur kot,

Në thellësinë dhe dritën e natës si frymë,

Në prehjen e qetë në pritje të agut, hesht,

Hesht,

Dhe në heshtje ruaj frymën tende,

Sepse aty lind fjala e drejtë,

Prit orën tënde të vijë,

Leri të lodhen në dorëzim, ti hesht…

D.R.Z

/QendraPress/