Çaste poetike me poetin;-Urim MEZINI

TË LUTEM MOS NDRYSHO!
————————————
Mos ndrysho të lutem, qëndro si je!
Dritë, që shkëlqen agimit të praruar
Ninullë që edhe heshtjen e vë të fle
Shpirtit forcën kur ishte duke lotuar.
Në ty, gjeta strehën e dëshiruar
Si lule çele në shi, diell, e në dëborë
Fjalë që i mungon çdo libri të shkruar
Premtimi që kurrë s’kërkoi kurorë.
Unë do të dua, sa të kem jetë
Për atë që je dhe atë që ke treguar
Për shpirtin dhe dritën e vërtetë
Për dashurinë e pastër që m’ke dhuruar.
Ndjenja jote s’pati kurrë të ftohtë
Në të gjitha ditët e netët që shkuan
Si paqe në shpirt, buzëqeshjen të ngrohtë
Më ndenje në krah, në dallgët që kaluam
/QendraPress/