Një aktivitet i bukur kulturor që bashkoi letërsinë, artin dhe studentët /Shkruan :Vjollca Dibra .dekane e Fakultetit të Filologjisë.

       Sot, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit të Prizrenit, organizuam aktivitetin letrar “Promovimi i krijuesve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë”, me pjesëmarrjen e krijuesve Armenida Qyqja dhe Bes Camaj.

Në hapje të aktivitetit, si dekane e Fakultetit të Filologjisë, pata kënaqësinë të përshëndes të pranishmit dhe të theksoj rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Në kuadër të aktivitetit, Prodekani Prof. Ass. Dr. Fikret Ramadani foli për letërsinë shqiptare në diasporë, ndërsa Prof. Asoc. Dr. Flamur Shala prezantoi biografinë dhe veprimtarinë letrare të Bes Camaj. Për krijimtarinë e Armenida Qyqjes folën gazetari Qazim Thaçi dhe Prof. Muharrem Gashi. Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit të Prizrenit, Sahadete Sadikaj-Kukaj.

Takimi u moderua nga Prof. Ass. Dr. Dorina Rakaj, ndërsa programi artistik u pasurua me interpretimet e studenteve Djellza Perteshi, Saranda Gavrani dhe Sumeja Krasniqi, të përcjella me kitarë nga studenti i Fakultetit të Arteve, Dionis Berisha.

Një aktivitet i bukur kulturor që bashkoi letërsinë, artin dhe studentët tanë në promovimin e vlerave krijuese shqiptare.QendraPress/