Çaste poetike me poetin;-Ali H. TAHIRI

LIRIA TË PËRQAFOJ
– Dëshmorit Demë Avdyl Shala –
———————————————-
Trimit nga Graboci i Pejës,
zemra iu bë flakë, prush e hi për liri.
Rrallëherë u lindin betejave ushtarë,
si Dema, për të mbetur i pavdekshëm në faqe lavdi.
Kur flaka e luftës filloi
ta digjte tokën gjithandej Kosovës,
trimi Demë Avdyl Shala,
plumbat e armikut i ndalte herë me gjoks,
e herë në shuplakë të dorës.
Mbi çdo mund,
lirinë e Kosovës në shpirt e kishte të shenjtëruar.
Në lagjen Dardania III të Pejës,
nga dora hodhi bombat, shokët
për t’i shpëtuar.
Në vijën e parë të zjarrit,
jeta e tij u shua,
emri i tij u shkrua me gjak në fletën e historisë.
Ishte betuar pranë flamurit
për lirinë e tokave të gjithë shqiptarisë.
O trim Demë – Demushi,
iu bashkëngjite shtatë shaljanëve.
Ti mbete i pavdekshëm
në zemrën e çdo shqiptari.
Këtë trim të tetë, hero shaljan, e deshi
Atdheu, Liria dhe Altari.
Heu, Demë Avdyl Shala,
kurrë mos t’u kalbshin eshtrat.
Ty, liria e Kosovës,
në panteon t’i ruan sot e mot vlerat.
Ti u ngjite si flamur
në zemrën e çdo shqiptari.
Kurrë nuk do të shuhet emri yt, as liria,
se ti për të do të ngrihesh prapë nga varri.
Pusho tani me shokët dëshmorë të idealit,
i qetë.
Ti, tani, në majën e shtizës së Flamurit,
të Dardanisë së lashtë,
mbete hero i gjallë në dy jetë.
/QendraPress/