Totaj kërkon rikthimin e kompetencave për menaxhimin e Prevallës.

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur në takim U.D. të Drejtorit të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, Nail Kryeziun, me bashkëpunëtorë, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në çështje me interes të përbashkët. Sipas njoftimit të Totajt, gjatë takimit është biseduar për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave natyrore të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe për koordinimin e aktiviteteve dhe projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e turizmit në rajonin e Prizrenit. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe Prevallës dhe sfidave në menaxhimin e kësaj zone. Totaj ka theksuar se aktualisht Komuna e Prizrenit nuk i ka kompetencat e nevojshme për të ndërhyrë dhe menaxhuar këtë hapësirë, gjë që, sipas tij, kufizon mundësinë e veprimit institucional.

“Shpresojmë që në një të ardhme të afërt këto kompetenca t’i rikthehen Komunës, në mënyrë që Prevalla të menaxhohet me më shumë përgjegjësi, efikasitet dhe në interes të qytetarëve, vizitorëve dhe mbrojtjes së mjedisit”, është shprehur Totaj.