Fryma poetike e së dielës me poeten:-Meri MEZINI

ZEMRA E NËNËS RREH DHE NËN TOKË

——————————————————-

Eh, sa e rëndë është zemra e nënës,

duhen shpatulla të forta ta mbajnë në krah,

Brenda saj rëndon pesha e jetës, dhimbjet,

 hallet, që koha i dha.

Një ditë u bëra edhe unë nënë, sakrificat i munda

me kohën që erdhi. Fëmijët, në kushtet më të mira,

i rrita, nëna më rriti në djepin skëterrit.

Nuk kishte qumësht në cicën e sajë,

Sa herë ia thithja, mbytej në lot,

dhitë dhe lopët i mblodhi partia.

 lakra të egra hante në atë kohë.

Zemra e nënës rreh dhe nën tokë.

Tik takun e saj e dëgjoj gjithnjë.

Shpirti i saj më ndjek kudo,

më vjen në ëndërr, bekime më thotë.

Në ëndërr i putha duart plot kallo.

Me skamjen u përlesh ajo në atë kohë.

Kur hapa sytë, kish ikur në qiell,

me yllin polar u bashkua ajo.

/QendraPress/