Çaste poetike me poeten :- Tixhe Rexha GËRQARI

NGJYRAT E JETËS DHE PASQYRA
——————————————
Ngjyrat e jetës nuk i sjell vetëm dielli.
Ato lindin nga një buzëqeshje,
nga një përqafim,nga një dorë
që të ngre kur rrëzohesh.
Janë dashuria e atyre
që na mësuan ta njohim veten,
zërat që na mbetën në shpirt,
shpresa, besimi dhe ëndrrat
që ndezin dritën edhe kur dita errësohet.
Dhe pasqyra i ruan të gjitha.
Ajo nuk mban vetëm fytyrën.
Mban kohën, mungesat, heshtjet,
humbjet që nuk u thanë,
zhgënjimet që lanë gjurmë
dhe ëndrrat e mbetura përgjysmë.
Pastaj vjen jeta.
Pa trokitur.
Sjell stinë që nuk shkruhen në asnjë kalendar.
Çdo sprovë nuk e thyen pasqyrën.
I lë një krisje.
Një krisje tjeter pastaj një tjetër.
Derisa një ditë
nuk sheh më fytyrën që kishe dikur.
Jo pse pasqyra është thyer,
por sepse çdo plagë
ta ka gdhendur një fytyrë më të vërtetë.
Dhe atëherë kupton
njeriu nuk matet nga sa herë është thyer,
por nga sa dritë
ka arritur të ruaj në copat e veta.
Sepse edhe një pasqyrë e thyer,
kur e prek drita, nuk humbet.
Ajo e shumëfishon dritën.
/QendraPress/