Çaste poetike me poeten :-Lola SHEHI

Ç’EMËR T’U VËMË?

—————————

Nëse jemi dashur, s’mund të jemi të huaj

Dhe nëse jemi shekuj a vitedritë larg

Harresa humb betejën me ndjenjën e jetuar

Kokforte fle e zgjohet tek i vjetri prag.

Ne s’mund të hiqemi sikur s’jemi njohur

Dhe nëse kujtimet i kemi bërë hi

Na tradhëton zemra që rreh çmendurisht

Akrepat digjen rrahjesh e na ndezin gji.

Tradhëton buza që dridhet si gjethja

Sytë që ndizen flakë kur ndeshen shikimet

Duart që djersijnë si të lënguar ethesh

Kohët që rikthehen , si kthehen agimet.

Nëse jemi dashur, e pamundur të bëhemi të huaj

Arratisur ndoshta, por me kokën pas

Si dreq jemi sherrosur me kujtimet

Zemëruar e rebeluar kur na zënë në grackë.

Kërkojmë të bindim veten se kemi qënë të huaj

Se jeta gënjeshtare na paskësh punuar rreng

Po ç’emër t’ u vëmë netëve me gjumë të trazuar?

Ç’emër t’u vëmë ëndrrave që na marrin peng?

/QendraPress/