KUR POLITIKA SËMURET, SHTETI MBETET PENG DHE POPULLI NË PRITJE-Shkruan: Gëzim AJGERAJ,shkrim dhe analistë politikë.

Sindroma kosovare e përsëritjes së zgjedhjeve dhe pamundësia e formimit të institucioneve

„Kur themelet e shtëpisë kalben, s’ka stoli fasade që ta shpëtojë atë nga rrëzimi.“ – Proverb!

Sëmundja si metaforë e para-politike

Ka sëmundje që preken me dorë dhe ka sëmundje që preken vetëm me mendje. Trupi njerëzor, kur sëmuret, dërgon shenja: ethe, dhimbje, lodhje. Trupi i shtetit, përkundrazi, e fsheh sëmundjen e vet pas ceremonive, pas deklaratave, pas fjalimeve që flasin për stabilitet teksa çdo qelizë institucionale po shpërbëhet ngadalë.

Politika, si organizëm i gjallë, ka po ashtu patologjitë e veta: ethe zgjedhjesh, paralizë vendimmarrjeje, alergji ndaj kompromisit. Dhe ashtu si në mjekësi, diagnoza e vonuar e bën kurën më të vështirë, ndonjëherë të pamundur pa ndërhyrje drastike.

Platoni, në kërkimin e tij për shtetin e drejtë, e krahasoi qytetin me shpirtin njerëzor: kur pjesët e shpirtit, arsyeja, vullneti dhe dëshira; humbin ekuilibrin, njeriu bie në kaos të brendshëm. Po kështu, kur pjesët e shtetit; pushteti ligjvënës, ekzekutivi dhe gjyqësori, humbin raportin e tyre të natyrshëm, qyteti bie në një kaos që mund ta quajmë krizë institucionale.

„Ndëshkimi që paguajnë njerëzit e mirë për mosinteresimin ndaj politikës, është të qeverisen nga njerëz më të këqij se ata.“ – Platoni

Kjo sëmundje nuk fillon në ditën e zgjedhjeve. Ajo fillon shumë më herët, në kohën kur politika e sheh pushtetin si qëllim në vetvete e jo si mjet për t’i shërbyer bashkësisë. Është pikërisht atëherë që lind ajo që mund ta quajmë metastaza e mosbesimit: qytetari fillon të dyshojë jo vetëm te individi që qeveris, por te vetë ideja e qeverisjes si e tillë.

Shteti si peng; anatomia e një robërie të padukshme

Fjala peng mbart brenda vetes një dramë të vjetër: dikush që mbahet kundër vullnetit të vet, në pritje të një shkëmbimi që s’vjen kurrë. Kur themi se shteti mbetet peng, nuk flasim për pushtim të huaj, as për ushtri që rrethon kufijtë.

Flasim për diçka më delikate e më të rrezikshme: robërinë e institucioneve nga interesat e ngushta të atyre që duhet t’i mbanin ato të lira.

Shteti, në kuptimin e tij më të thellë, është një premtim kolektiv, premtimi që një popull ia bën vetvetes për të jetuar sipas rregullave të përbashkëta, jo sipas fuqisë së të fortit të momentit.

Kur ky premtim thyhet vazhdimisht nga vetë ata që janë zgjedhur për ta mbrojtur, shteti pushon së qeni shtëpi e përbashkët dhe kthehet në peng të një beteje private, të veshur me gjuhën e interesit publik.

„Fuqia korruptonte, dhe fuqia absolute korrupton absolutisht.“ – Lord Acton

Max Weber, sociologu gjerman që studioi thellë natyrën e pushtetit, dallonte mes politikanit që jeton për politikën dhe politikanit që jeton nga politika.

I pari e sheh detyrën si mision, i dyti si burim jetese e privilegjesh. Kur një klasë e tërë politike kalon nga kategoria e parë në të dytën, institucionet fillojnë të funksionojnë si mekanizma vetë-shërbimi, jo si shërbyese të qytetarit.

„Politika është arti i të bërit të mundur atë që është e nevojshme.“ – Otto von Bismarck

Por çfarë ndodh kur politika bëhet arti i të bërit të pamundur pikërisht atë që është e nevojshme, formimin e një qeverie, votimin e një buxheti, emërimin e gjyqtarëve? Atëherë arti kthehet në karikaturë të vetvetes, dhe shteti, në vend që të jetë subjekt që vepron, bëhet objekt që pritet të veprohet mbi të.

Ka edhe një aspekt tjetër të kësaj robërie që meriton vëmendje: robëria e gjuhës.

Kur institucionet dështojnë të funksionojnë, gjuha politike fillon të zëvendësojë realitetin me performancën e tij.

Fjalët si bashkëpunim, dialog, konsensus, përsëriten deri sa humbasin çdo lidhje me veprimin konkret, duke u kthyer në rituale verbale që maskojnë mungesën e vullnetit real për t’i zbatuar ato.

George Orwell e vërejti me mprehtësi se degradimi i gjuhës politike shpesh shërben pikërisht për ta bërë të pamundur mendimin e qartë mbi realitetin që gjuha duhet ta përshkruajë.

„Gjuha politike është krijuar për t’i bërë gënjeshtrat të duken të vërteta.“ – George Orwell

Populli në pritje: psikologjia e një kohe të pezulluar

Psikologjia e traumës flet për një fenomen që mund ta quajmë pritje e zgjatur pa horizont, gjendja kur dikush pret diçka pa ditur as kur, as si do të vijë ajo.

Kjo gjendje prodhon më shumë ankth se vetë fatkeqësia e pritur, sepse mendja njerëzore mund ta përballojë dhimbjen kur e njeh formën e saj, por vuan pafundësisht kur dhimbja mbetet pa formë, pa fund, pa emër.

Populli që pret zgjedhje të reja, qeveri të re, institucione që funksionojnë, jeton pikërisht në këtë gjendje pezullimi psikologjik. Nuk është pritja e atij që beson se e mira do të vijë; është pritja e atij që ka mësuar, nga përvoja e përsëritur, të mos presë më asgjë, por vazhdon të presë sepse s’ka zgjidhje tjetër.

Psikologët e njohin këtë si pafuqi të mësuar: kur përpjekjet e njëpasnjëshme dështojnë, organizmi; qoftë individ, qoftë popull, mëson të mos përpiqet më, edhe kur mundësia për ndryshim ekziston ende diku.

Samuel Beckett e kapi këtë gjendje me një dramë të vetme: dy njerëz që presin dikë që nuk vjen kurrë, por që nuk largohen kurrë nga vendi i pritjes, sepse largimi do të thoshte pranim i plotë i zbrazëtisë.

Populli që pret zgjedhje pas zgjedhjesh, qeveri pas qeverie, e jeton këtë absurditet çdo ditë: e di që pritja mund të mos sjellë asgjë, e megjithatë nuk largohet nga kutia e votimit, sepse largimi do të ishte vdekja e fundit e shpresës.

„Njeriu është i dënuar të jetë i lirë.“ – Jean-Paul Sartre

Kjo liri e dënuar është pikërisht ajo që politika e sëmurë përpiqet ta mohojë: duke e mbajtur popullin në pritje të përhershme, klasa politike e privon qytetarin nga përgjegjësia e zgjedhjes reale, duke ia zëvendësuar atë me përsëritjen e një rituali bosh, votimi që nuk prodhon më vendim, por vetëm konfirmon paralizën.

Jean-Jacques Rousseau e ndërtoi tërë filozofinë e tij politike mbi idenë e kontratës sociale, bindjen se shoqëria e ligjshme lind vetëm kur individët heqin dorë vullnetarisht nga një pjesë e lirisë natyrore për të fituar në këmbim mbrojtjen dhe drejtësinë e bashkësisë.

Por çfarë ndodh kur kjo kontratë nënshkruhet formalisht, në letër, në kushtetutë, por nuk zbatohet në shpirt?

Atëherë populli vazhdon të japë votën, pjesën e tij të lirisë, pa marrë kurrë në këmbim atë siguri institucionale që kontrata i premtonte.

„Njeriu lind i lirë, e kudo është në zinxhirë.“ – Jean-Jacques Rousseau

Zinxhirët e sotëm nuk janë gjithmonë të dukshëm si robëri e hapur; shpesh ata janë të padukshëm si pritje e pafund, si votë e përsëritur pa fryt, si besim i dhënë e i tradhtuar sistematikisht. Populli mbetet formalisht sovran, çdo kushtetutë e thotë këtë me gojë të plotë, por praktikisht i zhveshur nga mundësia për ta ushtruar atë sovranitet përmes institucioneve që funksionojnë.

Sindroma e përsëritjes; Sizifi elektoral

Miti i Sizifit, ashtu siç e rilexoi Albert Camy-s, tregon historinë e një njeriu të dënuar të ngjisë përjetësisht një gur në majë të malit, gur që rrokulliset përsëri poshtë sapo mbërrin në krye.

Camy e pa në këtë mit jo vetëm dënimin, por edhe kushtin e vetë ekzistencës njerëzore: përsëritja pa kuptim të dukshëm, dhe nevoja për t’i dhënë asaj përsëritjeje një kuptim me forcë vullneti.

„Duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur.“– Albert Camus

Por ka një ndryshim thelbësor mes Sizifit të Camys dhe popullit që përsërit zgjedhje pas zgjedhjesh pa formuar institucione: Sizifi e di se guri do të rrokulliset, dhe në atë dije gjen një farë lirie tragjike.

Populli, përkundrazi, shkon te kutia e votimit me shpresën, jo me sigurinë, se këtë herë guri do të qëndrojë në majë.

Është pikërisht kjo shpresë e përsëritur, e zhgënjyer dhe e rilindur, që e bën sindromën e përsëritjes së zgjedhjeve aq të dhimbshme psikologjikisht: ajo nuk lejon as pranimin stoik të Sizifit, as ndryshimin real që do ta shpëtonte nga cikli.

Në kuptimin klinik, përsëritja e pazgjidhur e një konflikti, kur i njëjti model dështimi rishfaqet pa u zgjidhur shkaku themelor, njihet si përsëritje kompulsive.

Sigmund Freud vërejti se njeriu, kur nuk arrin ta përpunojë traumën fillestare, priret ta rikrijojë atë situatë pa e kuptuar plotësisht pse.

Kombet, si organizma kolektive të kujtesës, mund ta pësojnë të njëjtin fenomen: kur trauma themeluese e shtetit; pasiguria, ndarjet e brendshme, mosbesimi mes palëve, nuk përpunohet përmes institucioneve të forta, ajo rishfaqet vazhdimisht në formën e krizave elektorale identike, sikur kombi vetë të mos dijë të dalë nga një skenar i shkruar më parë.

Zgjedhjet, në kushte normale, janë mekanizmi më i civilizuar që njerëzimi ka gjetur për të zgjidhur konfliktin e pushtetit pa dhunë.

Por kur zgjedhjet përsëriten pa prodhuar qeverisje, ato pushojnë të jenë zgjidhje dhe bëhen vetë simptoma e sëmundjes: një ethe periodike që e lodh trupin politik pa e shëruar atë.

Nga pikëpamja e psikologjisë klinike, ekziston edhe një shpjegim tjetër, më i thjeshtë por jo më pak i thellë, për përsëritjen e krizave: fenomeni i njohur si përshtatje me disfunksionin.

Familjet që jetojnë gjatë brenda një marrëdhënieje të dëmshme shpesh e normalizojnë atë dëm, deri sa vetë anëtarët e familjes fillojnë ta konsiderojnë kaosin si gjendje normale, madje edhe të rehatshme, sepse e njohin mirë atë, ndërkohë që stabiliteti i vërtetë, i panjohur, u duket i frikshëm, si territor pa hartë.

Diçka e ngjashme mund të ndodhë me një bashkësi politike: pas mjaft ciklesh krize, vetë kriza bëhet e njohur, pothuajse rehatshme në trishtimin e saj, ndërsa stabiliteti institucional, i pashijuar prej kohësh, kthehet në një ide abstrakte, gati të huaj.

Pamundësia e formimit të institucioneve: kriza e legjitimitetit

Thomas Hobbes, në Leviathan, e përshkroi shtetin si një trup artificial të krijuar për t’i dhënë fund luftës së të gjithëve kundër të gjithëve.

Për Hobbes, pa një autoritet të njohur e të pranuar nga të gjitha palët, njerëzimi bie në atë që ai e quajti gjendje natyrore, një kaos ku jeta është, siç e përshkroi ai vetë, e vetmuar, e varfër, e keqe, brutale dhe e shkurtër.

„Marrëveshjet pa shpatë janë vetëm fjalë, pa fuqi për të siguruar njeriun aspak.“– Thomas Hobbes

Pamundësia për të formuar institucione nuk është thjesht mospajtim teknik mbi ndarjen e postesh.

Ajo është, në thelb, mungesa e një marrëveshjeje themelore mbi vetë rregullat e lojës, një krizë legjitimiteti që bën që çdo palë ta shohë tjetrën jo si kundërshtar legjitim brenda sistemit, por si kërcënim ndaj vetë ekzistencës së saj politike.

Hannah Arendt vërente se pushteti i vërtetë nuk vjen nga dhuna apo nga numrat e thjeshtë, por nga aftësia e njerëzve për të vepruar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët.

„Pushteti korrespondon me aftësinë njerëzore jo thjesht për të vepruar, por për të vepruar në mënyrë të koordinuar.“ – Hannah Arendt

Kur kjo aftësi për veprim të koordinuar mungon, kur çdo palë e sheh institucionin si trofe për t’u pushtuar e jo si shtëpi për t’u ndarë, atëherë as shumica matematikore, as ligji formal, nuk mjaftojnë për të prodhuar një qeveri funksionale.

Numrat bëhen armë retorike, jo bazë bashkëpunimi, dhe salla e parlamentit kthehet në fushëbetejë ku fitorja simbolike vlen më shumë se qeverisja reale.

Montesquieu, arkitekti i ndarjes së pushteteve, e paralajmëroi botën se liria politike nuk mund të ekzistojë atje ku i njëjti organ mbledh në duart e veta funksione që duhet të kontrollojnë njëri-tjetrin.

Por ai gjithashtu e kuptoi se ndarja formale e pushteteve, pa një kulturë politike që e respekton frymën e asaj ndarjeje, mbetet arkitekturë bosh, një ndërtesë e bukur pa banorë që dinë të jetojnë brenda saj.

John Locke, një tjetër arkitekt i mendimit liberal modern, e kushtëzoi legjitimitetin e çdo qeverie me pëlqimin e të qeverisurve dhe me detyrimin e saj themelor për t’u shërbyer atyre.

Kur qeveria, ose në rastin tonë, vetë procesi i formimit të saj dështon sistematikisht të prodhojë atë shërbim, Locke do të thoshte se lidhja e besimit mes qytetarit dhe pushtetit është shkëputur, edhe nëse forma e jashtme e institucioneve mbetet e paprekur.

„Aty ku mungon ligji, nuk ka liri.“– John Locke

Por mungesa e ligjit që Locke e kishte parasysh nuk është domosdoshmërisht mungesa e teksteve ligjore; kushtetuta ekziston, ligji zgjedhor ekziston, procedurat parlamentare janë shkruar deri në detajin më të vogël.

Mungesa e vërtetë është ajo e zbatimit të vullnetshëm, e frymës që i jep jetë shkronjës së ligjit.

Një shtet mund të ketë tekstin më të përsosur kushtetues dhe të mbetet, njëkohësisht, funksionalisht i paralizuar, sepse teksti vetëm nuk mund ta detyrojë vullnetin politik të bashkëpunojë.

Kujt i shërben paralizia? Psikologjia e përfitimit nga kaosi

Çdo krizë e zgjatur ka përfituesit e vet të fshehur, edhe kur në sipërfaqe duket se të gjithë humbasin.

Paralizia institucionale, sado e dëmshme për qytetarin e zakonshëm, mund të jetë strehë e përsosur për ata që kanë frikë nga llogaridhënia, nga auditimi, nga drejtësia që funksionon. Sa më gjatë vazhdon pasiguria, aq më gjatë shtyhet momenti kur dikush duhet të përgjigjet për vendimet e marra, apo për ato që s’janë marrë fare.

„Ai që lufton përbindësha duhet të ketë kujdes që në atë proces të mos bëhet vetë përbindësh.“– Friedrich Niçe

Ky paralajmërim i Niçe merr një kuptim të veçantë në kontekstin e krizave politike të përsëritura: ata që e denoncojnë sëmundjen e sistemit mund të bëhen, pa e kuptuar, pjesë e së njëjtës patologji, nëse e përqafojnë të njëjtën logjikë përjashtimi dhe fitoreje me çdo kusht që e ka shkaktuar krizën në radhë të parë. Politika e sëmurë nuk njeh vetëm fajtorë të jashtëm; ajo riprodhon veten përmes çdo aktori që hyn në lojën e saj pa e sfiduar vetë logjikën e lojës.

Niccolò Machiavelli, i keqkuptuar shpesh si apologjet cinik i pushtetit të çfarëdo kostoje, ishte në thelb një diagnostikues i ftohtë i sëmundjeve politike të kohës së tij. Ai e dinte se principata e paqëndrueshme, e ndarë nga brenda, bëhet plaçkë e lehtë, jo domosdoshmërisht për armikun e jashtëm, por për vetë ambiciet e brendshme që gjejnë hapësirë në zbrazëtinë e pushtetit.

„Nuk ka asgjë më të vështirë për t’u ndërmarrë, më të rrezikshme për t’u drejtuar, apo më të pasigurt për të pasur sukses, sesa të marrësh drejtimin e futjes së një rendi të ri të gjërave.“– Niccolò Machiavelli

Rrugëdalja: nga pritja pasive te përgjegjësia aktive

Nëse sëmundja politike ka një metaforë, ka edhe një shpresë kurimi, sepse asnjë diagnozë, sado e rëndë, nuk është dënim përfundimtar.

Historia e kombeve tregon se krizat më të thella institucionale janë kapërcyer jo përmes zgjedhjes së njëpasnjëshme të të njëjtave rrugë, por përmes një momenti të vetëdijshëm kolektiv, kur qytetarët dhe udhëheqësit vendosin ta ndryshojnë vetë logjikën e lojës.

„Ju s’mund ta zgjidhni një problem me të njëjtin mendim që e krijoi atë.“– Albert Einstein

Václav Havel, dramaturgu që u bë president në një nga transformimet më dramatike politike të shekullit njëzet, e kuptoi se rikthimi i shpresës në një sistem të sëmurë nuk fillon me ndryshimin e ligjeve, por me ndryshimin e mënyrës si njerëzit jetojnë brenda së vërtetës, jo brenda gënjeshtrës së pranuar heshtazi.

„Shpresa nuk është bindja se diçka do të dalë mirë, por siguria se diçka ka kuptim, pavarësisht se si del.“ – Vaclav Havel

Kjo është, ndoshta, mësimi më i thellë psikologjik për një popull që jeton në pritje: shpresa e vërtetë nuk varet nga rezultati i menjëhershëm i zgjedhjes së radhës, por nga vendosmëria për të mos hequr dorë nga kërkimi i kuptimit qytetar, edhe kur çdo cikël elektoral duket se përsërit të njëjtin dështim.

Nelson Mandela, njeriu që kaloi njëzet e shtatë vjet në burg për një ide të drejtësisë, e dinte më mirë se kushdo se ndryshimi institucional kërkon durim që s’ngatërrohet me pasivitet, dhe forcë që s’ngatërrohet me hakmarrje.

„Është e lehtë të thyesh dhe të shkatërrosh. Heronjtë janë ata që ndërtojnë paqe dhe institucione.“– Nelson Mandela

Winston Churchill, në një nga momentet më të errëta të shekullit njëzet, e mbrojti demokracinë jo si sistem të përsosur, por si sistemi më pak i keq mes gjithë alternativave të tjera që njerëzimi ka provuar.

Ky realizëm, pranimi se asnjë sistem s’është i shenjtë, por disa sisteme prodhojnë më pak dëm se të tjerët, është pikërisht ai që i mungon shpesh diskursit politik të krizave të zgjatura, ku secila palë kërkon një fitore absolute në vend të një kompromisi funksional.

„Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha formave të tjera që janë provuar herë pas here.“– Winston Churchill

Immanuel Kant, në reflektimet e tij mbi paqen dhe qeverisjen, argumentonte se progresi politik i njerëzimit nuk vjen përmes një salti të papritur drejt përsosmërisë, por përmes një procesi të ngadalshëm, të mundimshëm, ku institucionet mësohen dora-dorës të mbizotërojnë mbi impulset e çastit.

Kjo pikëpamje na kujton se as shërimi i një sistemi politik nuk është ngjarje e vetme, spektakolare, por proces, një sërë vendimesh të vogla, të përsëritura me këmbëngulje, që gradualisht e zëvendësojnë logjikën e konfliktit me logjikën e bashkëpunimit.

„Nga druri i shtrembër i njerëzimit, asgjë krejt e drejtë nuk mund të ndërtohet.“– Immanuel Kant

Ky realizëm kantian nuk është arsye për rezignim, por ftesë për durim strategjik: të pranosh se njerëzimi dhe çdo shoqëri konkrete brenda tij, mbetet përgjithmonë i papërsosur, dhe pikërisht për këtë arsye ka nevojë edhe më të madhe për institucione të forta, që e kompensojnë dobësinë individuale me strukturë kolektive të qëndrueshme.

Shërimi i një sistemi politik të sëmurë nuk vjen kurrë nga jashtë, si recetë e importuar. Ai vjen kur brenda vetë klasës politike lind një numër i mjaftueshëm aktorësh që e vendosin qëndrueshmërinë e shtetit mbi interesin e ngushtë partiak dhe kur qytetarët, nga ana e tyre, kalojnë nga pritja e heshtur në kërkesën aktive, të vazhdueshme, të argumentuar për llogaridhënie.

Pasqyra që s’gënjen

Në fund të çdo diagnoze filozofike qëndron një e vërtetë e thjeshtë e vështirë për t’u pranuar: shteti nuk është një entitet i huaj që na bie mbi kokë nga jashtë, si mot i keq apo fatkeqësi natyrore. Shteti është pasqyra kolektive e asaj që jemi të gatshëm ta tolerojmë, ta kërkojmë dhe ta ndërtojmë së bashku.

Kur politika sëmuret, shteti mbetet peng jo vetëm i atyre që e mbajnë peng, por edhe i heshtjes së atyre që mund ta lironin dhe nuk e bëjnë. E populli, në pritje, nuk është thjesht viktimë pasive e një drame që i ndodh atij; është, në thelb, autori i heshtur i çdo skene që përsëritet, sepse çdo herë që zgjedh të mos kërkojë llogari, e rishkruan të njëjtin skenar për herën tjetër.

„Populli që s’e mëson historinë e vet është i dënuar ta përsërisë atë.“ – George Santayana

Ekziston edhe një kënd i fundit nga i cili duhet parë kjo dramë: ai i marrëdhënies mes kohës historike dhe kohës politike.

Koha historike e një kombi matet me shekuj, me përpjekje kolektive që zgjasin brez pas brezi; koha politike, përkundrazi, matet me mandate katërvjeçare, me cikle zgjedhore që kërkojnë rezultate të menjëhershme.

Kur kjo hendek mes dy llojeve të kohës bëhet tepër i thellë, politikanët fillojnë të veprojnë vetëm për ciklin e ardhshëm elektoral, ndërsa kombi humbet horizontin e tij afatgjatë.

Rindërtimi i institucioneve kërkon pikërisht kundërvënien e këtij impulsi: guximin për të vepruar për kohën historike, edhe kur çmimi politik i menjëhershëm mund të jetë i lartë.

Ndoshta kjo është dhurata e fshehur brenda çdo krize të përsëritur: mundësia për ta lexuar sërish veten, për ta njohur simptomën jo si fat, por si thirrje.

Sëmundja politike, sado e rëndë, nuk është kurrë kronike përgjithmonë, përveçse në ato raste kur ata që duhet ta shërojnë, vendosin ta jetojnë me të, sepse dhimbja e saj u ka mësuar tashmë të fitojnë nga kaosi.

Detyra e çdo brezi që beson ende në mundësinë e shërimit është ta ndërpresë atë përshtatje të rrezikshme, para se sëmundja të bëhet identitet.

„Ne nuk mund ta zgjedhim familjen ku lindim, por mund ta zgjedhim shtetin që ndërtojmë.“– Konrad Adenauer, i përshtatur nga fryma e mendimit të tij politik

Epilog

Çdo popull që ka mbijetuar një histori të gjatë sfidash e mban brenda vetes një dije të lashtë: se as sëmundja më e rëndë nuk është kurrë fjala e fundit e trupit të gjallë, përderisa ende ka diçka brenda tij që refuzon ta pranojë atë si gjendje të përhershme.

Kosova, si çdo shtet i ri që ende po e mëson gjuhën e vet institucionale, ka mundësinë, jo garancinë, por mundësinë, ta shndërrojë çdo krizë të përsëritur në një hap drejt pjekurisë, në vend që ta lërë atë të ngurtësohet në identitet të përhershëm dëshpërimi.

Rruga nga pritja pasive drejt përgjegjësisë aktive nuk kalon nëpër një zgjedhje të vetme, sado historike të jetë ajo, por nëpër vendosmërinë e përditshme, të heshtur e të vazhdueshme, të një populli që refuzon ta harrojë se shteti është, para se të jetë çdo gjë tjetër, vepër e duarve të tij.

2026/QendraPress/