Kryetari i komunës së Prizrenit apelon- mos ndizni zjarre!

Komuna e Prizrenit, përmes Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve, Policinë e Kosovës, Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, ka intensifikuar masat për parandalimin e zjarreve në territorin e komunës. Tani zonat me rrezik të lartë monitorohen 24 orë me dronë të pajisur me kamera termike (termovizive), të cilët mundësojnë vëzhgim të vazhdueshëm si gjatë ditës ashtu edhe natës, edhe në kushte të vështira.
Qëllimi i këtij monitorimi është mbrojtja e jetës së qytetarëve, pyjeve, tokave bujqësore dhe pasurisë publike si dhe identifikimi e ndëshkimi i shkaktarëve të zjarreve.
Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale, e dënueshme me burgim nga 3 deri në 6 vjet.
• Mos ndizni zjarre në natyrë, pyje apo fusha.
• Mos digjni mbeturina, bar të thatë apo mbetje bujqësore.
• Mos hidhni cigare të ndezura në ambiente të hapura.
• Nëse vëreni zjarr ose persona që shkaktojnë zjarr, njoftoni menjëherë shërbimet emergjente ose Policinë e Kosovës.
Mbrojtja e natyrës është përgjegjësi e secilit prej nesh.
Mos ndiz zjarr – mbro jetën, pyjet dhe të ardhmen tonë!/QendraPress/