Kryetari Totaj dhe stafi i tij, pritën Kryetarin e KBI-së në Prizren, Valon ef. Ibrahimi, Shejh Abedin Shehun dhe referentin Eroll Raka

Kryetari,i komunës së Prizrenit ,Shaqir Totaj ,nënkryetari Kujtim Gashi drejtori Islam Ukimeri dhe stafi kabinetit sot në kuadër të shumë vizitave që I bëhen kanë mirëpritë , Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Valon ef. Ibrahimi, Shejh Abedin Shehun dhe Referentin për Shërbime Fetare në KBI, Eroll Raka, me të cilët biseduan dhe koordinuan hapat e mëtejmë për organizimin sa më të mirë të shërbimeve në Varrezat e Reja të Qytetit. Ky është projekt pas të cilit qëndron një punë shumëvjeçare. Gjatë gjithë këtyre viteve kanë kaluar dhe zgjidhur procedura të shumta e të komplikuara, është punuar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe institucionet tjera, deri në sigurimin e 57 hektarëve tokë për Varrezat e Reja të Qytetit. Puna nuk është ndalur këtu. Janë mbajtur diskutime publike, janë zhvilluar konsultime e koordinime me bashkësitë fetare dhe është përcaktuar edhe bashkëpunimi me operatorin, i cili, sipas kontratës, do të kujdeset për menaxhimin e hapësirës dhe për investimet e nevojshme në të.
Ky projekt ka marrë përkrahje të madhe nga qytetarët, sepse adreson një nevojë reale dhe afatgjatë të Prizrenit. Pikërisht për këtë arsye presim që edhe institucionet relevante ta respektojnë këtë vullnet, ta mbështesin procesin dhe secila, brenda përgjegjësive të veta, të kontribuojë që projekti të zhvillohet pa pengesa.
Synimi ynë është që Varrezat e Reja të Qytetit të shndërrohen në kompleks modern dhe të rregulluar, me infrastrukturën dhe kushtet që i takojnë një qyteti si Prizreni. Për nga koncepti, madhësia dhe mënyra e organizimit, ky është ndër projektet e rralla të këtij lloji në Kosovë.
Ky projekt nuk ka ardhur rastësisht. Ka ardhur nga një nevojë reale, sepse mundësitë për varrime të reja në Varrezat e Qytetit dhe në varrezat e lagjes “Arbana” janë bërë jashtëzakonisht të kufizuara, por edhe nga kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve që kjo çështje të ketë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Në koordinim dhe mirëkuptim me komunitetet fetare në Prizren, nga 10 gushti 2026 varrimet e reja kanë filluar të realizohen në Varrezat e Reja të Qytetit.
E dimë shumë mirë se bëhet fjalë për një çështje jashtëzakonisht të ndjeshme. Ndryshimi i lokacionit të varrimit nuk është një ndryshim i zakonshëm, sidomos për familjet që për vite me radhë janë mësuar me një vend të caktuar ku prehen të afërmit e tyre. Për këtë arsye kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj periudhe të tranzicionit dhe i sigurojmë se çdo hap po bëhet me kujdes, respekt dhe dinjitet.
Në koordinim me bashkësitë fetare, operatorin dhe institucionet përgjegjëse, po punojmë që familjet, pikërisht në momentet më të vështira për to, të kenë shërbim të rregullt, të organizuar dhe sa më dinjitoz.
Varrezat e Reja të Qytetit janë zgjidhje e domosdoshme për Prizrenin, por njëkohësisht edhe investim afatgjatë për gjeneratat që vijnë. Pas shumë vitesh pune, sfidash dhe përpjekjesh, po e çojmë përpara një projekt që qytetit i ka munguar dhe që qytetarëve tanë u garanton zgjidhje të qëndrueshme, të rregulluar dhe me dinjitet.