Kurti me kongresistin amerikan për vendimin e Speciales: Ka pasaktësi dhe gabime ligjore, duhet korrigjuar në Apel

                  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan Mike Lawler, në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.Kurti ka bërë të ditur se me Lawler ka diskutuar për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, investimet dhe situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas Kurtit, ai i ka kërkuar mbështetjen kongresmenit amerikan për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, duke theksuar se kjo ndikon në të drejtën e votës dhe qasjen në dokumentet zyrtare. Në takim ka marrë pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe vendimi i shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka theksuar se aktgjykimi ka hedhur poshtë pretendimet për trafikim organesh të lidhura me raportin e Dick Martyt, si dhe akuzat e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit.

Sipas Kurtit, gjetjet e tjera të aktgjykimit janë bazuar në “pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore”, duke shprehur pritjen që këto çështje të korrigjohen plotësisht në procedurën e apelit./Arbresh.info