Fryma poetike e së mërkurës me poetin :Urim MEZINI

KUR PËRGJONTE NATYRA

—————————————-

Ulur pranë dritares, si rrallë i përmalluar,

natyrën sodis me ëndje dhe plot kureshtje.

Ca zogj një degë t’thatë ulliri kanë pushtuar,

ndërsa gjethet e rëna lotojnë në heshtje.

Edhe ullirit nga harresa i rrjedhin lot

shikimin nga unë nuk do që ta heqë.

“M’ke lënë në mëshirë”, sikur më thotë,

“ndaj jam katandisur kështu,si mos më keq”.

Vetes i kthehem, një mendim i kërkoj,

përgjigjen ma kthen me zë të acaruar.

S’di ç’farë të them, as se si të veproj,

por një debat me ty s’e kisha menduar.

“Do dhe të tallesh?” më kthen me zemërim.

“Kërkon mendimin tim që të ngushëllohesh.

Kur ike, çantën mbi sup hodhe me nxitim,

dhe pse disa herë të thërrita: ‘Do pendohesh!’

S’e dija që, natyra qeshte me fjalët tona,

gjithnjë e më pranë dritares sonë qe afruar.

“Dëgjova tek flisnit”, tha, “dhe po mendoja,

s’kisha dëgjuar kurrë, me veten duke debatuar!”

/QendraPress/