Fryma poetike e së mërkurës me poetin :-Gëzim AJGERAJ

ATJE KU UDHËT HARROJNË EMRAT

—————————————————-

Ti mbete një mall i djegur mes Alpeve,
një hije që dimri e mban nën gjuhë,
me një mijë udhë të palexuara në sy
dhe një largësi që s’di më nga është nisur.

Çdo mbrëmje, kur bora mbyll gjurmët,
dikush kalon nëpër ty pa ardhur askund,
dhe heshtja, si një plak i verbër,
numëron emrat që kanë mbetur pas derës.

Ti pi nga gota e vetmisë, atë verë të vjetër që koha s’e njeh,
pastaj shtrydh nga nata një fjalë, dhe e var në degën e fundit të kujtesës.

Fjala nuk lind për të thënë; ajo ruan në terr atë që s’mund të thuhet,
një dritare e mbyllur nga brenda, ku shpirti sheh veten duke ikur.

Udha të mori me vete, por largësinë nuk mundi ta marrë.
Ajo mbeti në gjakun tënd, si një hartë që digjet
pa pushuar së treguari rrugën.

Dhe ti ecje, jo për të mbërritur,
por që pas teje të mbetej një gjurmë
që as harrimi të mos dinte ta fshinte.

Në një kthesë të Alpeve, gjete një pasqyrë pa fytyrë.
Atje ku prisje kthimin, pe vetëm një emër,
duke u plakur në heshtje.

Ndoshta etnia është kjo plagë, që historia e mbështjell me flamuj,
ndërsa nata e njeh pa emër; një zë që kërkon trupin
e një vendi të humbur në kohë.

Sa herë fjala prek plagën, ajo nuk e shëron.
Vetëm ia ndërron formën, që dhimbja të mund të jetojë,
edhe pasi të vdesin ata që e mbajtën.

Kështu metafora u bë strehë, për atë që mbeti prej nesh
kur emri filloi të zbehej, në kujtesën e botës.

Jashtë, janari kafshon xhamin.
Përtej tij, nata është një libër i mbyllur
ku askush nuk di të lexojë kthimin.

Dhe ti, përballë mbrëmjes, nuk pyet më ku shkon udha.
Pyet kush do të mbërrijë një ditë, atje ku ke lënë zërin.

Ndoshta vdekja është vetëm kjo;
udha që nuk e kujton më këmbën, që dikur eci mbi të.

Dhe fjala, si një zog i vonuar i dimrit, rri përtej xhamit,
duke kërkuar një dritare, ku kujtesa ende nuk ka vdekur.

Sepse njeriu nuk shuhet kur ikën,
shuhet atëherë kur asnjë udhë
nuk di më emrin e tij.

2026

/QendraPress/