Çaste poetike me poetin;-Kujtim HAJDARI

ENDE BESOJ
————————
Më ndodhi jo rrallë,
gjërat të vinin papritur —
Shkelën
mbi ëndrrat e mia.
Erdhën
si shi i vonuar,
mbi një tokë të zhuritur,
rrahën
mbi çatinë time ku askush
nuk thërriste më askënd,
veç heshtja mortore
lidhte kokën nga dhimbjet.
……………..
*
Dhe ikën po ashtu,
si plagë ëndrrash,
pas një gjumi të trembur,
të gjakosur.
Në korridor mbeti ankthi i hijeve,
e copëra fjalish të gjymtuara,
që askush nuk guxoi t’i lexonte me zë.
*
Dhe dera…, ah, dera —
Me gërvimat e saj,
ma çori fytyrën,
po kurrë s’e mbylla.
Ndonëse me mbylljen isha mësuar:
kisha mbyllur shpirtin,
ëndrrat,
shpresën për të ardhmen,
por s’u bëra mur,
ndonëse zemra
kishte filluar të mblidhte tulla
nga frika e djajve
që bridhnin dhe ditën,
me shpirtin lakuriq.
*
Në dhomë,
heshtja thurte
pëlhura merimangash,
e rritej si pemë pa gjethe.
Çdo degë e saj
mbante një emër,
një fytyrë,
një “ndoshta”
që nuk arriti kurrë
të bëhej e vërtetë.
*
Ora mbi mur
nuk tregonte më kohën.
Ajo qepte plagët e çastit
me psherëtimat e mekura
të çdo tik-taku,
dhe prapë i hapte si ironi fati.
*
Ndjehej vetëm fryma ime—
një urë prej mjegulle,
mbi lumin e asaj
që humba,
drejt një bregu
që fekste,
ku ende nuk kam mbërritur.
*
Zëra të vjetër më jehojnë turbullt,
përpara më shfaqet hija e Odiseut.
Zëra që vijnë nga larg,
nga epoka e Homerit,
nga gjumi i vrarë i varreve të shkuara:
kthimi nuk është gjithmonë
të gjesh shtëpinë—
Nganjëherë
është të kuptosh
se shtëpia ka ndryshuar
brenda teje.
*
Prandaj qëndroj këtu.
Në këtë çast të pambrojtur,
me duart bosh
dhe zemrën si një dritare
që harron të mbyllet.
Le të vijnë gjërat.
Le të ikin.
Unë do të jem këtu—
mes zhurmës së shiut
dhe heshtjes pas tij,
duke mbajtur në pëllëmbë
atë që mund ta shpëtoj,
si një zog të vogël
që ende beson
se qielli fillon
pikërisht aty
ku mbaron kafazi.
/QendraPress/