HYSENI: NUK U DISKUTUA ASOCIACIONI, ÇËSHTJEN E HUAVE TË ISH-JUGOSLLAVISË MUND TA ZGJIDHIM NË ARBITRAZH
Koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, ka thënë se gjatë bisedimeve të sotme nuk është folur për çështjen e bashkësisë së komunave serbe, njofton Insajderi.
Tema që është diskutuar sot në tryezë ka qenë ajo për pretendimet financiare dhe çështjet e borxhit.
“Nuk është diskutuar fare kjo temë. Natyrisht që delegacioni serb ka bërë përpjekje që ta hapë këtë temë, ndërkohë që ne e kemi refuzuar kategorikisht”, u shpreh Hyseni.
Hyseni tha që pavarësisht përpjekjeve të delegacionit serb, asociacioni nuk është diskutuar fare në ditën e sotme. Megjithatë, ai kujtoi se tema që mbetet për t’u diskutuar tani është statuti i asociacionit, dhe se Prishtina do të japë një qëndrim të qartë politik. “Nuk është diskutuar fare kjo temë. Natyrisht që delegacioni serb ka bërë përpjekje që ta hapë këtë temë, por ne e kemi refuzuar kategorikisht. Ndërkohë që për gjithë ato komente në Kosovë unë nuk do të përgjigjem sepse nuk i kam përcjellë të gjitha në rend të parë. Por duhet nënvizuar një fakt, që ka pasur dy marrëveshje të Asociacionit që janë shkruar, 2013, 2015. Në marrëveshjen e asociacionit të vitit 2015 gjykata ka bërë komentet e saj, në 21 apo 2 çështje të veçanta, dhe tani as gjykata nuk ka thënë që asociacioni nuk duhet të zbatohet. Tani është puna te statuti i asociacionit. Natyrisht që në Prishtinë do të merret qëndrim politik i qartë për këtë punë. Unë dua dhe insistoj dhe kërkoj qëndrim të qartë politik. Sepse pa një qëndrim të qartë politik, nuk mund të trajtohet asnjë element i marrëveshjes së veçantë”, tha tutje ai