Kryeministri paralajmëron zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk dakordohen për presidentin
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se nuk e ka problem nëse nuk e kryen mandatin e tij deri në fund, po që se nuk merren vesh për postin e presidentin në shkurt apo edhe më herët, në rast të largimit të presidentit Thaçi.
Ai tha se kjo temë do ta ulë atë edhe me opozitën, por megjithatë kjo nuk nënkupton që do të zgjerohet koalicioni aktual me partinë e Kadri Veselit.
“Nuk ka asnjë arsye. Koalicioni është duke funksionuar dhe i ka numrat, ata që i ka. Nëse shtohet nevoja për zgjedhjen e presidentit të vendit para shkurtit të vitit të ardhshëm duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Me të gjitha partitë e opozitës, por nuk e di çka nënkupton ajo a merremi vesh për një qeveri me 80-90 numra me e zgjedhë presidentin apo me zgjedhë një president jopolitik ku dakordohet edhe opozita. Por, kjo nuk është temë”, ka thënë ai.
Hoti ka deklaruar se “duhet ta shohim se a është interes i vendit dhe jo i partive politike. Por nëse nuk merremi vesh duhet të shkojmë në zgjedhje, sipas Kushtetutës”.
Hoti gjithashtu foli edhe për procesin e dialogut, për të cilin tha se po i konsumon shumë energji. Për këtë temë, Hoti thotë se do të ngulë këmbë që të marrë njohjen nga Serbia, “në të kundërtën s’ka marrëveshje”.