Hoxhaj ia shuan shpresat për president Haradinajt: Nuk të votojmë

0

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj thotë se kjo parti nuk ka votë për Ramush Haradinajn për president.


I ftuar në emisionin Presing në televizionin 7, Hoxhaj tha se ata nuk do të votojnë dikë jashtë PDK-së për të parin e shtetit.

“Ne nuk kemi vota për një kandidat i cili do të vinte nga koalicioni qeverisës. Është absurde të jetë në opozitë dhe të votosh një kandidat në pozitë”, tha Hoxhaj.

Ndërkohë ai theksoi Partia Demokratike e Kosovës është më e goditura nga Gjykata Speciale, pasi edhe Kadri Veseli u detyra të lërë postin e udhëheqësit të kësaj partie.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ua kishte prezantuar kandidaturën e vet për president Thaçit dhe Veselit, pak kohë para se këtyre të dyve t’ju konfirmohej aktakuza nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka thënë se kishte diskutuar me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kreun e PDK’së, Kadri Veselin, për kandidaturën e tij për president. Madje sipas Haradinajt, ishin në përfundim të mbylljes.

“Edhe atyre (Thaçit e Veselit), ua kam prezantuar kandidaturën time. Ne kemi pasur një përafrim në momentet e fundit. Realisht ka pasur një përafrim të madh. Realisht kemi qenë afër mbylljes së procesit”, është shprehur Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha se kishte për t’u takuar me Veselin ditën që udhëtoi për në Hagë, por takimi i planifikuar nuk u realizua.

“Në ditën që udhëtoi Kadri Veseli kemi paraparë edhe një takim, por që nuk u realizua”, ka thënë Haradinaj në RTK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *