Çaste poetike me poeten;-Abide GASHI

GËZOHU!

————————-

Gëzohu, më tha një zog

me cicërima drite,

mbi degën ku pranvera

kishte varur buzëqeshjen,

Mos qaj më me lot, se jeta prapë lulëzon!

Livadhet u mbushën me ngjyra,

vjollcat çelën, si fjalë të buta,

era më preku, si kujtim i largët,

dhe më ftoi të rilindja, bashkë me të!

Por unë, mbeta një stinë e ngrirë,

ende mbaja dimrin në kraharor,

si një akull që s’ shkrin lehtë,

si një emër që s’hiqet nga shpirti,

me një mungesë që më rëndonte

si hije mbi çdo dritë.

Fluturat vallëzonin mbi lule,

dhe më thërrisnin me ngjyra,

Eja, mos u humb në dhimbje,

por zemra ime

ende mësonte si të rrahë pa ty!

Dola në pranverë,me hapa të lodhur,

preka jetën që më priste,

dhe për herë të parë ,nuk u ktheva pas,

Sepse ndjeva, se dhimbja nuk është fundi,

por një urë e heshtur, drejt një dite të re!

E prapë nje rreze diku brenda meje,

u ndez ngadalë, si një fije drite në errësirë,

si një shpresë që nuk dorëzohet.

Dhe kuptova se edhe pas,

akullnajes më të gjatë,

uji gjen rrugën për të rrjedhur,

se edhe zemra ime, një ditë,

do të mësojë sërish të buzëqeshë!

Dhe aty, mes gjelbërimit,

mes një fryme që më përqafoi butë,

zemra ime nisi ngadalë, të çlirohej nga acari,

Dhe ndoshta, jo sot, jo nesër,

por një ditë që po vjen pa zhurmë,

do të gëzohem sërish, jo si dikur,

por më e fortë, më e vërtetë, më unë.

/QendraPress/